Çështja e veriut, pas tensionimit të fund-majit, por që po vazhdon ende, është kthyer në temë të rëndësishme. Plagosje të KFOR-it nga huliganët serbë, hudhje të bombave të shokut, goditje me gurë ndaj veturave të Policisë së Kosovës e rrahje të gazetarëve, janë disa nga ngjarjet që e kanë përcjell veriun që nga 26 maji, data kur intervenoi policia kosovare.
Pas gjithë këtyre javëve, ndërkombëtarët kanë pasur paralajmërime të ndryhshme, por edhe kërkesa të qarta në lidhje me nevojën për shtensionim të situatës në veri. Megjithatë, dy deklarata, njëra nga Edi Rama, kryeministër i Kosovës, dhe tjetra nga Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, janë jashtëzakonisht alarmuese. Çka thanë kryeminsitri shqiptar dhe diplomati amerikan?
Konflikt rajonal…Republika e KFOR-it
Në “Këshillin Atlantik”, një institut i njohur amerikan për marrëdhënie ndërkombëtare, Escobar u tregua goxha i shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke e përdorur një sintagmë goxha alarmuese.
Ai vlerësoi se tensionet në veri janë aq të mëdha sa kanë potencialin për t’u shndërruar në “konflikt rajonal”.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo (situatë) ka potencialin për t’u shndërruar në konflikt rajonal. Prandaj ne jemi shumë, shumë mbështetës në iniciativën evropiane, duhet të jetë nismë evropiane. Këto shtete janë në Evropë, aspiratat e tyre më të mëdha janë të bëhen pjesë e Evropës dhe përderisa ata normalizojnë raportet e tyre, ata po ashtu harmonizojnë sistemet e tyre me Evropën.” – deklaroi ai.
Me këtë deklaratë të Escobarit, u pajtua pikë e presje edhe Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, i cili ishte po ashtu pjesë e intervistës për “Këshillin Atlantik”. Por mospajtime shpërfaqi kryeministri Kurti, i cili pyeti në mënyrë ironike mos ndoshta e ka kërcënuar Rama Beogradin.
“Edi Rama flet çdo javë në telefon me Vuçiqin” / Shqiprim Arifi debaton me Mirenën
“Është dashur të jeni në konferencën tjetër ta pyesni atë, cilat shtetet tjera përveç Kosovës dhe Serbisë, besoni që do të përfshihen, meqë thoni se konflikti do të jetë rajonal. Unë nuk e di. Mali i Zi? S’ma merr mendja. Maqedoni? S’besoj. Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar Beogradin? Ndoshta, por ju atje duhet t’i pyesni, sepse unë i di shumë gjëra, por jo edhe aq shumë. Pra do të duhej që emisarin amerikan Escobar ta pyesni kur ka thënë konflikt rajonal, se cilat shtete i ka menduar përveç Kosovës e Serbisë.” – shtoi Kurti.
Ndërsa për veriun foli dje edhe kryeministri i Shqipërisë. Edhe lideri i kahmotshëm i shtetit shqiptar kishte një paralajmërim absolutisht ogurzi. Dje Rama, në një seri postimesh në Twitter, shpërndau kërkesën e Departamentit amerikan të Shtetit për lirimin e 3 policëve të kidnapuar nga Serbia në veri të Kosovës.
Pas këtij paralajmërimi “ogurzi” për mundësinë që kjo javë të “jetë java e rikthimi të akullit mes nesh”, Rama shkroi edhe për masat e nevojshme për shtensionimin e situatës në veri. Shefi i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se nëse Kurti këmbëngul “në të tijën kundër aleatëve”, atëhere KFOR-i do të rikthehet në krye të punës.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!” – shkroi ai.
Për më shumë, interpretimi i tij pesimist, u thellua në cicërimin e tretë. Rama paralajmëroi një “Republikë të KFOR-it”.
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – shkroi ai.