Zyrtari i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Muharrem Arifi, i cili vetëm një vit më parë, ishte dënuar me masë disiplinore për shkelje të vazhdueshme në vendin e tij të punës, është avancuar në këtë Agjenci nga bordi i emëruar nga Qeveria e Albin Kurtit.
Muharrem Arifi, i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, është avancuar së fundmi në pozitën Zëvendësues i Zëvendës Drejtorit Menaxhues-Likuidim të AKP-së. Emërimi i tij në këtë pozitë është bërë në mbledhjen “e jashtëzakonshme” të Bordit të Drejtorëve të AKP’së, të mbajtur më 15 qershor 2023.
Avancimi i tij është bërë përkundër faktit se i Arifi kishte bërë shkelje të ripërsëritura në vendin e tij të punës, sipas një vendimi të Komisionit Disiplinor të datës 22 maj 2022.
Pos emërimit të Arifit, bordi i AKP’së pozitën e Zëvendësuesit të Zëvendës Drejtorit Menaxhues-Shitje të AKP’së i dha edhe Petrit Ibrajt.
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2023/06/353927378_977228093701073_7304203750917672968_n.jpg)
Muharrem Arifi, hiç më larg se një vit më parë nga Komisioni Disiplinues i AKP-së, që në atë kohë ishte drejtor i Departamentit të Likuidimit, ishte dënuar me masë disiplinore për “shkelje të vazhdueshme të rregullave të Kodit të Etikës në shërbimin civil” dhe “kryerjen e përsëritur, brenda ose jashtë orarit zyrtar, të veprimeve që cenojnë nëpunësit civilë, institucionin apo Shërbimin Civil në tërësi sipas nenit 46 paragraf të Ligjit për Zyrtarët Publikë të Republikës së Kosovës”, në kohën sa Arifi kishte qenë Drejtor i Departamentit të Likuidimit.
Atij i ishte shqiptuar masa: “Ndalimi prej 25% të pagës për periudhën prej pesë (5) muaj”.
Raporti për shkeljen ishte iniciuar nga Avni Jashari, atë kohë Zëvendësues i Drejtorit Menaxhues në AKP. Në raportin për inicimin e rastit, Jashari pretendonte se me akuzat e tij, që ai i cilësonte të pabazuara, Arifi ka denigruar dhe cenuar rëndë pozitën e Drejtorit Menaxhues të AKP-së , pozitën e Zëvendës Drejtorit Menaxhues-likuidim dhe pozitën e Zëvendësuesit aktual të Drejtorit Menaxhues të AKP-së.
Arifi po ashtu pretendohej se ka bërë akuza të pabazuara ndaj ish Drejtorit të AKP-së dhe Departamentit të Burimeve Njerëzore për procesin e rekrutimit të Zyrtarit të Trepçës, Zyrtarit të Lartë të likuidimit si dhe Kryesuesit të Njësisë për Menaxhimin e Projektit.
Ai po ashtu ishte akuzuar edhe për “presion të vazhdueshëm e joprofesional ndaj zyrtarëve të Departamentit të Likuidimit”, të cilët siç thuhet në raport vazhdimisht kishin raportuar sjellje të këqija jo profesionale dhe fyese nga Arifi ndaj zyrtarëve tjerë.
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2023/06/355053184_794323588865076_3732471310697664480_n.jpg)
Për të gjitha këto akuza e pretendime ndaj tij, sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, Arifi nuk kishte arritur të ofrojë dëshmi bindëse relevantë para Komisionit Disiplinor.
Siç mëson Gazeta Online Reporteri.net, Muharrem Arifaj është i afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosjen.
Ai del se është vëllai i Ali Arifit, drejtorit të LVV’së në Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit,.
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2023/06/muharrem-ali.jpg)
![](https://reporteri.net/wp-content/uploads/2023/06/71515941_2977381215611236_7677630323684802560_n.jpg)