Sibel Halimi, sociologe, poete dhe doktorante në Departamentin e Sociologjisë ka reaguar ndaj gjuhës së shfrenuar seksiste kundër Flutura Kusarit, ekspertës me renome evropiane në fushën e mbrojtjes së lirisë së fjalës e medieve të lira.
Halimi, që është edhe bashkëshorte, nënë dhe aktiviste partiake, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke e konstatuar se “Seksizmi dhe gjuha mizogjeniste është mjet diskreditimi e eliminimit të grave nga sfera publike” përcjellë Botapress.
Për më shumë ja postimi i znj.Sibel Halimi në Facebook:
Seksizmi dhe gjuha mizogjeniste është mjet diskreditimi e eliminimit të grave nga sfera publike.
Flutura Kusari është profesioniste, prandaj është edhe e vetëdijshme për pasojat e tilla të angazhimin të saj publik. Flutura vazhdon të mbetet zëri i arsyeshmërisë dhe nuk ndalet kurrë.
Mirëpo, para se të na përplasen fytyrës të vërteta të tilla të talljes dhe fyerjes të grave, ne na mbetet të jemi më të zëshëm në rrethin në të cilën jetojmë dhe veprojmë.
Çrrënjosja e këtij fenomeni bëhet vetëm atëherë kur në përditshmërinë tonë arrijmë t`i demonstrojmë reagimet, atëherë kur kolegia apo shoqja atakohet, të mos konformohemi.
Flutura Kusari nuk ka nevojë për mbrojtje, ajo është një grua super e fuqishme. Me Fluturën duam të jemi bashkë, t’i mbrojmë e inkurajojmë gratë e vajzat tjera të na bashkëngjiten në rrugëtimin tonë për mundësitë e barabarta e në emancipimin e vendit tonë.
Prandaj, të reagojmë edhe më shumë, jo veç në këtë rast, por në secilin rast që një grua sulmohet në këtë formë.