Roli i presidenten Vjosa Osmani për situatën në të cilën po kalon Kosova po kritikohet nga opozita dhe njohësit e rrethanave politike.
Ata kanë kërkuar reagimin e shefes së shtetit karshi situatës në veri.
Sipas tyre, e para e vendit duhet ta luaj rolin e saj unifikues, të cilin ia përcakton Kushtetuta.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka bërë me tani se presidentja aktuale është në duart e partisë në pushtet.
“Fatkeqësisht Kosova nuk ka president të mirëfilltë, ajo është më shumë kukull në duart e Lëvizjes Vetëvendosje si e tillë ajo nuk e ushtron në mënyrë absolute rolin e saj kushtetues. Në momentin që Kosova është përjashtuar nga manovrat Defender 2023’ ajo është dashtë të jepte dorëheqjen”, ka thënë Krasniqi për EO.
Sipas tij, shefja e shteti nuk po ndien asnjë përgjegjesi për situatën aktuale.
“Sepse në Evropë me standardet evropiane jepet dorëheqje edhe për çështjet më të vogla, ndërsa ajo jo vetëm jo që nuk ka dhënë dorëheqje por nuk ndjenë as një lloj përgjegjësie. E njëjta gjë po vlen për krizën e re, kështu që thjeshtë ne kemi një person në zyrën e presidentes por realisht ne nuk kemi president”, është shprehur ai.
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka vlerësuar se Osmani nuk është duke e luajtur rolin e saj unifikues.
“Presidentja duhet që ta luaj rolin e saj kushtetues dhe kjo është e rëndësisë së veçantë, duhet të jetë një figurë qenësore edhe jo shumë me interferime politike sa asaj funksionale të përfaqësimit të vendit edhe brenda edhe jashtë. Kjo është me rëndësi të veçantë sidomos në këto moment që janë të ndjeshme ne bashkëpunimin ndërkombëtar”, ka thënë Ibishi për EO.