Pas rastit të ish drejtuesit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, i cili 7 vjet më parë, u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, një tjetër skandal skandal seksual ka përfshirë politikën shqiptare ditën e djeshme.
Safet Gjici, dha sot dorëheqjen nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje në të cilën ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.
E para që reagoi pasi videoja u shpërnda në rrjete sociale ishte nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila njoftoi se kishte nisur, me iniciativë të saj, një procedim penal ndaj Gjicit.
Kryebashkiaku i Kukësit, njoftoi më pas, përmes një postimi në Facebook, dorëheqjen ndërsa kërkoi ndjesë publike ndaj “kujtdo që ka parë atë material të shëmtuar video”. Ndërkaq ai pranoi se kishte lidhje prej disa kohësh me vajzën me të cilën është filmuar, por nga ana tjetër i dha kësaj ngjarjeje sfond politik, duke pretenduar se ka rënë pre e një kurthi të organizuar sipas tij nga kundërshtarët politikë.
Gjici mori një mandate të ri, në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfqësues i Partisë socialiste. Sipas të dhënave në video, filmimi rezulton të jetë realizuar 10 ditë më parë, rreth orës 16.00.
Pavarësisht njoftimit të Gjicit për dorëheqje, në përfundim të mbledhjes së saj, qeveria pati një reagim për ngjarjen duke theksuar se kishte vendosur shkarkimin e Gjicit nga detyra.