Klan Kosova është duke u bërë gati të inicojë kallzim penal ndaj ministreshës Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi, për nxjerrjen e vendimi të kundërligjshëm për suspendimin e licencës biznesore të televizionit, ka njoftuar mediumi në fjalë.
Vepra për të cilat pritet të ngarkohen ato, parashohin dënimin deri në 5 vjet burgim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për Hajdarin, ky bëhet kallëzimi i dytë penal, pas atij të parit që tashmë është shndërruar në aktakuzë ndaj saj, që ka të bëjë me mosdeklarimin e pasurisë në Agjencionin Antikorrupsion.
Lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, ka pasur reagime të shumta.
Gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF. Paraprakisht kishte reaguar edhe AGK-ja, gazetarë e drejtues të të gjitha mediave në Kosovë, dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile.
Në reagimin e tyre thuhet se janë të alarmuar me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova.
Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Mediave ka caktuar mbledhje më 16 qershor për të trajtuar rastin e pezullimit të licensës së Klan Kosovës.