Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për gazetarë pas adresimit të saj para deputetëve në Parlamentin Evropian ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,
Osmani theksoi se Kosova ka ndërmarrë obligime në dialog për përgatitjen e draft-statutit të Asociacionit.
Presidentja u shpreh para gazetarëve se draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është duke u përgatitur, dhe se vendimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimi amerikan janë baza kryesore.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë obligime në dialog, që institucionet e Republikës tonë ta përgatitin draftin. Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe do të thoja që është ai draft që do ta vendosë bazamentin e diskutimeve në Bruksel. Sa i përket Asociacionit Kushtetuta e Kosovës, vendimi i vitit 2015 dhe qëndrimi amerikan, janë baza kryesore. Kosova konsultohet me miq, dashamirë, ekspertë dhe në fund e propozon draftin e saj, ashtu siç i ka marrë obligimet në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe të përkrahur nga SHBA-ja”, u shpreh Osmani para gazetarëve.
Sa i përket situatës në veri, Vjosa Osmani tha se Kosova është afër gjetjes së zgjidhjes atje.
Ajo u shpreh se Kosova është në rrugën e duhur për t’i tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohet, dhe se vendi është në kontakt me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, por që do duhet të diskutohen edhe disa detaje, por beson se kjo sfidë do të tejkalohet.
Presidentja Osmani gjithashtu tha se Kosova është afër kërkesave të ndërkombëtarëve dhe se institucionet e Kosovës kanë vullnet për çështjen e zgjedhjeve të reja.
“Jemi afër sa i përket kërkesave ndërkombëtareve. Shumë prej kërkesave tona siç është sundimi i ligjit, janë edhe kërkesë e tyre, dakordim që duhet të ketë sundim të ligjit dhe nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri, pastaj çështja e zgjedhjeve të reja ka vullnet tek institucionet e Kosovës. Ka ende diskutime, por mendoj se jemi afër të gjindet zgjidhja”, tha Osmani./Botapress.info/