Gjykata Speciale s’i pranon krimet serbe në Kosovë si prova në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka parashtruar një kërkesë në Gjykatën Speciale, duke kërkuar pranimin e disa materialeve si prova që ajo i konsideron të rëndësishme dhe që “kanë vlerë provuese” në rastin e akuzave ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Specialja i ka vlerësuar të parëndësishme për akuzat disa prej krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës, të cilat avokatët e Krasniqit i kanë përfshirë në kërkesë.

Paneli i gjykatësve thotë se ato janë “përgjithësisht jorelevante për akuzat kundër të akuzuarit”.

“Mbrojtja e Krasniqit gjithashtu nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këtë pikë janë të lidhura me ndonjë nga akuzat ose faktet në Aktakuzë, ose se ato lidhen me ose janë provuese të organizimit ose aktivitetit të UÇK-së në zonë në një kohë ose vend që lidhet me akuzat”, thuhet në vendim.

Lidhur me disa krime të Serbisë në Rahovec, Specialja i referohet një videoje të paraqitur në kërkesë, ndërsa thotë se “mbrojtja e Krasniqit ka dështuar të vërtetojë se pjesa e parë e videos është relevante për këtë çështje”. Videoja e paraqitur ishte material i BBC-së.

Sipas gjykatësve, vetëm dy pjesë të asaj videoje “mund të jenë relevante për çështjen aktuale”.

“Trupi gjykues konsideron se vetëm pjesa e videos nga 17:39-20:15 dhe 34:25-38:00 është relevante. Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur ta vërtetojë rëndësinë e pjesëve të mbetura të Provës 11 të Propozuar”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Lidhur me një provë tjetër të cilën mbrojtja e Krasniqit ka kërkuar të pranohet nga gjykata, Specialja “nuk e konsideron përmbajtjen e saj, siç përshkruhet aty, të jetë relevante për qëllimet e përbashkëta të pretenduara të UÇK-së dhe LDK-së në asnjë mënyrë relevante për këtë çështje.

Prova i referohej marrëdhënieve midis UÇK-së dhe LDK-së dhe sugjerimit të avokatëve të Krasniqit se të dyja kishin qëllime të përbashkëta.

“Trupi Gjykues vëren se, ndërsa një pjesë e Provës së Propozuar 15 përmend denoncimin e LDK-së për krimet e kryera nga forcat serbe, kjo pikë është kryesisht relevante për krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat janë jorelevante, përveç nëse lidhen ndryshe me akuzat kundër të Akuzuarit. Prandaj, Trupi Gjykues konstaton se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se Prova e Propozuar 15 është relevante për këtë çështje”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Avokatët donin të pranoheshin si prova krimet e kryera nga forcat serbe dhe lidhjen e kësaj me faktin se UÇK-ja nuk kishte kontroll mbi individët që kryenin krime pas përfundimit formal të luftës.

Lidhur me një provë tjetër, trupi gjykues tha se “këto ngjarje nuk lidhen me asnjë nga krimet e akuzuara dhe lidhen vetëm në distancë me rrethanat relevante për këtë çështje”. Pretendimi i mbrojtjes se ajo është e rëndësishme u vlerësua “i dobët”

Këto prova, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar të hudheshin poshtë me pretendimin se “nuk kanë rëndësi, nuk kanë vlerë provuese të dukshme dhe/ose janë të papranueshme proceduralisht”.

Mbrojtja e Krasniqit, në kërkesë, u referohej raporteve ndërkombëtare ose materialeve të mediave të rëndësishme, që përfshinin prova për ngjarje në Rahovec, Gjilan, Prizren, etj.

Avoaktët e ish-kryeparlamentarit konsideruan se ato i mbështesnin dhe i plotësonin dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe dokumentet e tjera që po shqyrtohen në gjykim. Ato u konsideruan “në tërësi janë të rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet e Aktakuzës lidhur me ekzistencën e supozuar të një politike kundër të të ashtuquajturve kundërshtarë, si dhe me dijen e të akuzuarit për krime të kryera kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë periudhës së Aktakuzës.

Materialet e refuzuara, sipas avokatëve, ishin “me vlerë provuese sa i përket mungesës së kontrollit efektiv të z. Krasniqi mbi cilindo anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe mungesës së dijenisë apo qëllimit për krimet e kryera në nivel lokal”.