Kosova rrezikon fondet e BE-së për shkak të mungesës së institucioneve funksionale

 

Komisioni Evropian ka njoftuar dje se ka miratuar pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në kuadër të Paketës së Rritjes për Ballkanin Perëndimor, e cila synon të mbështesë reformat dhe zhvillimin ekonomik në rajon, përcjell albinfo.ch.

Këto janë pagesat e dyta për vendet përkatëse, pasi më herët ato kishin përfituar nga parafinancimi.
Sipas njoftimit, Shqipëria do të marrë rreth 100 milionë euro, më saktësisht 99.3 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten të vetmet vende të rajonit që ende nuk kanë përfituar mjete nga kjo paketë.
Bosnja dhe Hercegovina nuk ka arritur të miratojë Planin e Rritjes dhe agjendën e reformave, ndërsa në rastin e Kosovës, problemi lidhet me mungesën e institucioneve funksionale, që do të mund të nënshkruanin marrëveshjen formale me BE-në dhe ta ratifikonin atë me dy të tretat e votave në Kuvend.

Edhe pse Kosova i ka përmbushur kushtet teknike dhe formale, bllokimi institucional e pengon përfitimin nga fondet e planifikuara.
Sipas Komisionit Evropian, kjo situatë është shqetësuese, pasi paketa ka afat të kufizuar kohor, dhe mjetet që nuk përdoren nga një vend mund t’i kalojnë një tjetri që i plotëson kushtet.

Nga Brukseli theksohet se përfitimi nga kjo paketë është thelbësor për përshpejtimin e reformave, forcimin e ekonomive të rajonit dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Të tjera