Tensionet e fundit në veri të vendit i kanë “prishur” edhe raportet e Kosovës me partnerin kryesor perëndimor, SHBA-të. Mosdëgjimi i kërkesave amerikane nga ana e Qeverisë Kurti për shtensionimin e situatës në veri, tashmë kanë rezultuar edhe me pasojat e para për Kosovën.
Kësisoj, SHBA-ja ndërmori masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Për pasojë, Kosova u përjashtua nga pjesëmarrja në stërvitjen ushtarake “Defeder Europe 2023”, të udhëhequr nga Amerika në Evropë si dhe moslobim te shtetet mosnjohëse.
Për mos veprimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me tensionet në veri ka pasur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.
Presidenti i Francës, Emmanuele Macron gjatë ditës së mërkurë tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.
Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.
Ndërsa, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të martën sërish i ka bërë
Blinken kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.
Blinken në një postim në Twitter shkruan se SHBA dënon fuqishëm sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmet e djeshme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, dhe u kërkon palëve të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar gjendjen dhe t’i ripërkushtohen bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja për normalizim”, ka shkruar ai në Twitter.
“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.
Edhe Shefi i NATO-s Jorns Stoltenberg, ka thënë se dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.
Ai ka deklaruar se sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës janë të papranueshme dhe duhet të ndalen.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. KFOR-i, forcat e NATO-s, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë. Dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për paqe afatgjatë”.
kurse, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë të martën se Kosova duhet të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri.
Ai ka thënë se ky është hapi i parë për shtensionimin e situatës në veri, dhe që protestuesit të qetësohen.
“BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit. Dhuna ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it është e papranueshme dhe sjell një situatë të rrezikshme”, ka thënë Borrell sot para gazetarëve në Bruksel.
Ai ka shtuar se si BE “qëndrojmë pranë NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”,
Borrell tha se ka diskutuar me Kurtin dhe Vuçiqin për situatën në veri të Kosovës.
“Kam folur me kryeministrin Kurtin edhe sot në mëngjes, dhe presidentin Vuciq gjatë natës dhe kam kërkuar nga ta që urgjentisht të marrin masa për të shtensionuar situatën. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t’i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, tha Borrell.
Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Borrelli ka konfirmuar se po punohet që të organizohet një takim i nivelit të lartë në dialog, derisa shtoi se “nuk mund të pranojmë një konflikt të ri dhe shpresoj që kërkesat e mia do të dëgjohen”. /Botapress.info/