Gazeta pak më parë raportoi ekskluzivisht për një aksion të Njësisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj në rajonin e Prishtinës dhe Podujevës. Sipas burimeve, aksioni lidhet me fajdenë dhe ka të arrestuar.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili tha se po kryhen bastisje në Podujevë, Prishtinë dhe Vushtrri.
Jashari tha për Sinjalin se ky aksion lidhet me një rast i cili është subjekt hetimi në Ferizaj dhe lidhet me fajde.
“Është duke u zhvillu një aksion, është një rast që është duke u hetu në Ferizaj që ka ndërlidhje me këtë rast. Është për shkak të fajdeve. Janë duke u zhvillu disa bastisje në Podujevë, Prishtinë, Vushtrri. Ende nuk ka përfundu bastisja”, tha ai .
Krimet e Rënda aksion kundër fajdeve në Prishtinë e Podujevë, ka të arrestuar
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se aksioni po kryhet në disa lokacione dhe cak i bastisjes janë disa shtëpi dhe objekte përcjellëse të personave që dyshohen për veprën penale të fajdesë dhe identifikimin e sekuestrimin e provave materiale që do të përdoren në procedurën e mëvonshme kundër tyre.
Sipas burimeve, bastisja e sotme është në vazhdën e aksioneve të mëhershme që kanë rezultuar nga rasti i njohur si ‘Brezovica’, mirëpo nuk lidhet me Brezovicën.