Opinionisti dhe gazetari Valon Syla, ka reaguar pas raportimeve se gruaja e deputetit të Vetëvendosjes (VV), Mefail Bajqinovic, është emëruar shefe e një reparti në SHSKUK.
Syla në një postim në Facebook, ka pyetur se cili spital privat, do ta merrte si shefe gruan e Mefit për ndonjë sektor.
Ai tha se sektori publik i pa privatizuar ju jep gjasa vetëm politikanëve, dhe oportunistëve ti bëjnë gratë, ose vëllezërit shefa të sektorëve.
“Ju kam thonë. Por shajshit. Tash nginu Vetëvendosje, kopalla dhe llaskucllëk. Keshtu vdes meritokracia, ku nuk vlen merita dhe aftësia. Ky është korrupcioni ma i madh që i demoralizon njerëzit e aftë dhe të zot të këtij vendi… tash ikni jashtë… Por unë jam ksajde për me ja u kujtu. E rikujtu. A po kuptoni?”, ka shkruar Syla.
Sevime Kamberi-Bajqinovci është përzgjedhur kryeinfermiere në repartin e Patologjisë në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë.
Përzgjedhjen e Sevime Kamberi-Bajqinovcit në krye të repartit të Patologjisë për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar drejtori i Klinikë së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj. Derisa e vlerësoi Kamberi-Bajqinovcin si kandidaten më të mirë për këtë pozitë.
“Kandidatja të cilën e cekni ju (Sevime Kamberi-Bajqinovci) në testin të cilit ju ka nënshtruar ka treguar sukses shumë të mirë dhe ka plotësuar kushtet më shumë në krahasim me kandidatët tjera për t’u përzgjedhur”, tha Ndrejaj.
Sevime Kamberi-Bajqinovci është vlerësuar me 59.5 pikë në testin me shkrim dhe 25.1 pikë në intervistën me gojë, në total gjithsej 84.6 pikë.
Në konkursin e hapur me 23 mars për Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK janë përzgjedhur edhe shefat për 10 reparte. /Botapress.info/