Shurupi i kollës shkakton vdekjen e 17 fëmijëve, arrestohet pronari i kompanisë

Policia në Indi ka arrestuar pronarin e kompanisë Sresan Pharma, e cila prodhonte shurupin e kollës përgjegjës për vdekjen e 17 fëmijëve.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë policor për agjencinë Reuters.

S. Ranganathan, pronari i kompanisë me bazë në Tamil Nadu, u arrestua të mërkurën në Chennai dhe pritet të paraqitet para gjykatës.

Të gjithë fëmijët e prekur ishin nën pesë vjeç. Ata vdiqën muajin e kaluar pas konsumimit të shurupit “Coldrif”, i cili përmbante një sasi jashtëzakonisht të lartë të dietilen glikolit, një substancë toksike e përdorur kryesisht në industri si antifriz dhe tretës. Testet laboratorike treguan se përqendrimi i kësaj substance ishte pothuajse 500 herë mbi nivelin e lejuar.

Pas këtij incidenti, përdorimi i shurupit “Coldrif” është ndaluar në disa zona të Indisë. Ligji indian kërkon që çdo kompani farmaceutike të kontrollojë jo vetëm lëndët e para, por edhe secilën seri të produktit të përfunduar. Megjithatë, tragjedia zbuloi mangësi serioze në zbatimin e këtyre rregullave.

Pas incidenteve të ngjashme në vitin 2023, kur shurupet indiane lidhen me vdekjen e më shumë se 10 fëmijëve në Gambia, Uzbekistan dhe Kamerun, qeveria indiane vendosi kontrolle shtesë mbi eksportet e shurupit të kollës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) reagoi duke theksuar se ky rast tregon një boshllëk të madh në mbikëqyrjen e barnave brenda dhe jashtë Indisë. OBSH paralajmëroi gjithashtu se disa eksportime mund të jenë kryer në mënyrë jozyrtare dhe pa kontroll adekuat.

Ad

Të tjera