Kosova dhe Serbia miratuan të martën një deklaratë për personat e zhdukur gjatë luftës. Ata nuk u zhdukën befas, por termi i përdorur në deklaratë, dikush thotë se mund ta nënkuptojë edhe këtë. Njohësi i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani tha se ky term i barazon të dyja shtetet në përgjegjësi. Dikush tjetër tha se s’sheh ndonjë ndryshim. Kryeministri Albin Kurti, i cili e dha aprovimin, nuk foli shumë për këtë pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se termi i përdorur ia heq përgjegjësinë Serbisë. Presidentja Vjosa Osmani nuk pati asnjë vërejtje.
Me të nisur takimi i mbrëmshëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e miratuan pa asnjë vonesë Deklaratën për Personat e Zhdukur, për të cilën kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq paraprakisht ishin marrë vesh më 4 prill në Bruksel.
Pas këtij lajmi, zërat opozitarë në Prishtinë evidentuan menjëherë një gabim të pafalshëm, që sipas tyre e bëri Kurti.
Kryeministri pas takimit nuk foli shumë për deklaratën për të zhdukurit, por e konsideroi atë “një notë të lartë pozitive”. Asaj, Kurti i sforcoi fjalët “me forcë” dhe “me dhunë”.
“Këtë takim të nivelit të lartë e filluam me një notë të lartë e pozitive që u dakorduam bashkërisht për tekstin e Marrëveshjes, të shndërruar pra në Marrëveshje për çështjen e të pagjeturve, për çështjen e të zhdukurve me forcë, të zhdukurve me dhunë nga lufta në Kosovë. Ne e dimë që janë edhe 1617 të pagjetur dhe këtu viktima nuk janë vetëm ata të cilët janë rrëmbyer por njëkohësisht edhe familjet e tyre, dhe i gjithë populli e shoqëria”, tha ai.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, tha në Pressing në T7 se është tmerruar kur e ka parë deklaratën e miratuar.
Hasani tha se ajo i ka dy probleme serioze. E para, sipas tij, është se Kosova barazohet me Serbinë, ndërsa e dyta se Kosova nuk ka ekzistuar si shtet para 2008-ës dhe nuk mund të marrë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur.
“Ajo që quhet zhdukje me forcë, po e shoh që menjëherë ka filluar barazimi me gjuhën shqipe. Me këtë është larguar çdo përgjegjësi e shtetit serb për këtë kategori të personave. E dyta, do të thotë, është çështja palët që i kanë në posedim provat e tyre. Kjo është e pakuptimtë. Kosova është ndërtuar si shtet, sic thotë një studiues britanik, në natën e 17 shkurtit 2008. Deri atëherë në Kosovë ka ekzistuar administrata e UNMIK-ut. Si mund të japë përgjegjësi Kosova për një periudhë kur nuk ka ekzistuar”, tha ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa në Kosovë nisën reagimet, pala serbe në Brukel e paraqiti si fitore të Serbisë miratimin e kësaj deklarate, pasi u tha se është hequr termi “zhdukje me forcë”. I pari reagoi kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili tha se kanë arritur t’i mbrojnë interesat e Serbisë, duke theksuar se për vite me radhë kanë insistuar që deklarata të miratohej me një term tjetër. Ai tha se Kosova “ka insistuar në termin ‘enforced disappearance’, që është konstrukt juridik”, në mënyrë që, siç tha ai, “të mund t’i referohet atij dhe të kërkojë përgjegjësi nga Beogradi kur bëhet fjalë për zhdukje të dhunshme”.
“Ky nuk është një konstrukt ligjor dhe nuk përfshin asnjë përgjegjësi të shtetit serb në kuptimin juridik, por vetëm tregon rrethanat në të cilat një person i caktuar është zhdukur”, theksoi Petkoviq.
Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se termi që është në deklaratë nuk është term strikt juridik dhe dallon nga termi “zhdukje me forcë”, i cili tha se “ka kuptim të qartë legal sipas Konventës Ndërkombëtarë për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me Forcë (2006)”.
Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, e vuri theksin se si Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, ka pranuar t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve. Ai tha se deklarata e miratuar nuk është marrëveshja më e mirë e mundshme, por se është një hap i rëndësishëm dhe se Kosova po fiton qasje në arkivat shtetërore serbe.
“Është një hap shumë i rëndësishëm. Nuk them që është final por fillestar. Tani kemi qasje në arkivat shtetërore të Serbisë. Nuk jam shumë i kënaqur. Nuk është deklarata më perfekte e mundshme por deklarata më e mirë e mundshme që kemi mundur ta nxjerrim në Bruksel. Kjo nuk është asgjë, por implementimi i saj shpresojmë që do na dërgojë në gjetjen e personave të zhdukur”, tha ai në një lidhje direkte në Pressing në T7.
Ai tha se sipas termin “assesi nuk mund të ndodhë që të barazohet viktima me agresorin”. Sipas Konventës, Hoti tha se “vetëm shteti si shtet mund të bëjë krime dhe mund të bëjë zhdukje të personave me forcë”.
Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se termi i përdorur me atë që nuk u përdor “nuk e di që kanë ndonjë dallim”, por e potencoi që “forcibly dissapeared”, përdoret vetëm një herë e jo në gjithë tekstin.
Nysrete Kumnova nga Shoqata “Thirrjet e Nënave” iu gëzua miratimit të kësaj deklarate.
“Kjo deklaratë për familjarët është një deklaratë e dhimbshme, por e gzushme pasi që kanë rënë dakord që më të dashurit tone të mos mbesin në tokën e kriminelëve. por të kthehen në Kosovë, në vendlindjen e vet. Aty ku kanë lind edhe të varrosen”, tha ajo.
Presidentja s’pati vërejtje
Presidentja Vjosa Osmani e mirëpriti miratimin e kësaj deklarate, duke kërkuar që të zbatohet shpejt.
Pa pasur ndonjë vërejtje për terminologjinë e përdorur, Osmani tha se shpreson që “deklarata e dakorduar sot në Bruksel do të hapë rrugën për pranimin e këtyre krimeve dhe për drejtësinë”.
Mbi të gjitha, Osmani e përshkroi miratimin e kësaj deklarate si “një moment i çlirimit për familjet që kanë kaluar nëpër dhimbje të pashpjegueshme”, ndërsa shprehu pesimizmin se ajo do të zbatohet menjëherë nga ana e Serbisë.
Deklarata e amniston Serbinë?
Terminologjia e përdorur në deklaratën e miratuar nga Kurti dhe Vuçiq u tha se e amniston Serbinë, duke e shpëtuar nga përgjegjësia për zhdukjen e personave gjatë luftës në Kosovë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara e njeh “zhdukjen me forcë” si krim kundër njerëzimit dhe në vitin 2006 e kishte miratuar konventën e veçantë ndërkombëtare për këtë çështje. Termi i përdorur aty dallon nga deklarata e dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në deklaratën e Kurtit dhe Vuçiqit përdoren termet “missing persons” dhe “forcibly disappeared”, që përfshijnë edhe zhdukjen e detyruar dhe ato që përbëjnë krim kundër njerëzimit, por nënkupton edhe rastet e zhdukjeve të njerëzve nga fatkeqsitë natyrore.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/05/deklarata-814x600.png)
Ndryshe është termi “enforced disappearance”, i përdorur edhe në Deklaratën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për Personat e Zhdukur.
“Enforced disappearance” në shqip do të thotë “zhdukje me forcë”, ndërsa termi “forcibly disappeared”, i përdorur në deklaratën e miratuar nga Kurti e Vuciq, në shqip përkthehet si “u zhduk me forcë”.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2023/05/UN-889x600.png)
Termi i përdorur nga OKB-ja në konventën e saj i referohet specifikisht akteve të kryera nga qeniet njerëzore.
Deklarata e miratuar nga Kurti dhe Vuçiq, cili është formulimi dhe si u përcaktua përgjegjësia
Dokumenti për të cilin u pajtuan Kosova dhe Serbia të martën titullohet kështu: “Deklarata e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti për Personat e Zhdukur”.
Në tekst, një herë përmendet termi “personat e zhdukur me forcë” dhe në të gjitha rastet tjera (15), thuhet thjesht “personat e zhdukur”.
Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99. Kryediplomati europian, Josep Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”
Më poshtë deklarata e plotë, e publikuar nga Bashkimi Europian:
Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,
Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,
Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,
Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,
Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,
Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),
Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,
Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,
Ne angazhohemi bashkërisht,
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,
Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,
Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,
Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,
Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,
Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.
Detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.