Ditë më parë, BE-ja i ka thënë “PO” Kosovës sa i përket lëvizjes së lirë për qytetarët e saj. Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, ku qytetarët nga 1 janari i vitit që po vjen mund të lëvizin të lirë edhe në vendet e tjera.
Një gjë të tillë i ka gëzuar shumë qytetarët kosovarë, pasi kanë mundësi që të lëvizin pa viza dhe krejtësisht të lirë.
Shumë qytetarë, qysh nga marrja e këtij vendimi kanë deklaruar se do të ikin nga Kosova, jo vetëm për vizita por edhe për të punuar.
Konjufca: Para një jave pata bërë thirrje për shkarkimin e ekipit menaxhues të Asociacionit
Ermal Kryeziu, ka deklaruar për Paparacin se e ka mirëpritur vendimin e BE-së për Kosovën për vizat.
Ai ka thënë se mezi e pret momentin që të largohet nga Kosova, pasi sipas tij, ky vend nuk i ka ofruar shumë mundësi për jetesë.
“Kam qenë shumë i lumtur qysh në momentin që kam kuptuar se BE-ja ka miratuar liberalizimin e vizave, dhe mezi e pres momentin që të jem i lirë dhe të iki nga ky vend. Askush nuk besoj se ka dëshirë që të largohet nga vendlindja për arsye të kota, mirëpo ky vend, jo vetëm mua por mendoj që askujt nuk i ka ofruar mundësi as për jetesë, e disa të tjerëve as për mbijetesë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka theksuar se edhe pse ka punuar vazhdimisht, nuk ka qenë i kënaqur as me pagën, as me kushtet e punës që i ka ofruar ai vend ku ka punuar.
“As paga e as kushtet e tjera të punës nuk kanë qenë të mira, në mënyrë që ta kënaqin dhe t’i japin vullnet për punë qytetarëve kosovarë”, ka thënë shkurt ai.
Mirëpo, ai nuk është i vetmi që ka shprehur gatishmëri që të iki nga Kosova. Edhe Qëndresa Haliti, studente e diplomuar në infermieri ka thënë se i është gëzuar faktit që edhe qytetarëve të Kosovës i është mundësuar lëvizja e lirë. Ajo shpreson që përveç vizitave, Kosovës do t’i mundësohet edhe puna në një vend tjetër larg këtij që kjo nuk po e gjen vetën.
“Unë shpresoj shumë që përveç vizitave, Kosovës t’i mundësohet edhe puna në vende ku ka të drejtë që të udhëtoj, pasi Kosova nuk i ofron as kushtet minimale, sidomos për të diplomuarit në fusha të caktuara”, ka thënë ajo.
Si do të ndikojë në aspektin ekonomik ky liberalizim?
Ekonomisti, Besnik Avdiaj ka thënë se liberalizimi i vizave sjellë aspekte pozitive, edhe pse shumë industri dhe biznese përballën me mungesë të fuqisë punëtore.
“Efektet në ekonominë vendore do të jenë pozitive, me gjithë faktin që disa industri dhe biznese veçse kanë filluar të përballen me mungesën e fuqisë punëtore në treg. Kjo për shkak se do të diversifikojë resurset dhe kapitalin, do të detyrojë bizneset të investojnë më shumë në krijimin e mjediseve të punës më atraktive për stafin, pastaj edhe në automatizimin e proceseve si dhe në kërkimin e burimeve njerëzore jashtë vendit”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka theksuar se hapja e mundësive të reja padyshim që i kontribuon rritjes së konkurrencës në Kosovë. Sipas tij, liberalizimi nuk nënkupton emigrimin e fuqisë punëtore në mënyrë legale jashtë vendit, por sidoqoftë ofron më shumë perspektiva dhe mundësi për cilindo të ri.
“Në anën tjetër, investime të reja nga jashtë do të lulëzojnë në vendin tonë dhe marrë parasysh lidhjet familjare e sociale të shoqërisë tonë, edhe paraja e gatshme do të injektohet në ekonomi – kryesisht përmes konsumit dhe investimeve në biznese dhe patundshmëri. Për fund, efektet e liberalizimit në periudhë afatshkurtër mund të jenë tronditëse, por në periudhë afatgjatë, Kosova do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga të mirat e kësaj lirie”, ka thënë ndër të tjera ai./Botapress.info/