Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se shkarkimi i Ekipit Menaxhues për Asociacionin është i vonuar dhe nuk ka asnjë efekt, kjo pasi sipas tij “dëmi i madh është bërë”.
Kelmendi në statusin e tij në Facebook tërheq një analogji duke thënë se është e njëjtë sikur t’ia hapësh derën vrasësit, ta lejosh të kryej vrasje në shtëpinë tëndë dhe pastaj të telefonosh policinë.
“Borrell mbrëmë tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues. Dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat. Tash, pas prezantimit të draftit, pala që nuk do të punojë mbi të do të shihet si destruktive. Këtu është kurthi.”, shkruan Kelmendi.
Ky është postimi i tij:
Shumë mirë që u shkarkua Ekipi Menaxhues për Asociacionin sot.
Por ky shkarkim është i vonuar.
Dëmi i madh është bërë.
Kjo i bie si kur e di se një vrasës është nisur drejt shtëpisë tënde, ti ia hapë me vetëdije derën, ai e kryen vrasjen dhe ti pastaj e thërret policinë për ta burgosur. I vrari nuk kthehet në jetë më, pavarësisht çka ndodh me vrasësin.
Borrell mbrëmë tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues. Dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat. Tash, pas prezantimit të draftit, pala që nuk do të punojë mbi të do të shihet si destruktive. Këtu është kurthi.
Qeveria e ka ditur se kryesuesja e Ekipit është deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.
Nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë – Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova – të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Është ahistorike. /Botapress.info/