Drejtori i Policisë së Krimeve Ekonomike është larguar nga kjo pozitë, kanë bërë me dije burime të Nacionales nga ky institucion. Dhe kjo gjë ka ndodhur për një arsye që dyshohet të jetë e lidhur me motive politike.
Musli Salihut raportohet t’i jetë ndërruar pozita nga burime të Nacionales brenda Policisë së Kosovës.
Arsyeja prapa këtij shkarkimi, siç bëjnë me dije burimet, mësohet të jetë bastisja që çoi në arrestimin e shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili vazhdon të jetë në paraburgim.
Analistët tallen me Kurtin: “Zajednica nuk kalon”, “Mos u kthe pa bashkim kombëtar”
Krasniqi – ish-aktivist i VV-së – ishte mbrojtur nga zyrtarë të partisë në pushtet, përfshirë edhe vetë kryeministrin Kurti pas arrestimit të tij më 19 prill. Kurti madje kishte bërë akuza të rënda në drejtim të prokurorit Blerim Isufaj për rastin duke nxitur kritika se nuk po respektonte pavarësinë e institucioneve.
Bastisja ndaj z. Krasniqi ishte zhvilluar pikërisht nga Krimet Ekonomike që drejtoheshin nga z. Musli Salihu. Shefi i KEK-ut dyshohej për tri vepra penale, si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi.
Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, por i cili ka thënë se nuk ka informacione për këtë rast. Ndërkohë, dy zëdhënësit tjerë të PK-së kanë qenë të paqasshëm.
Musli Salihu ishte vendosur në këtë pozitë në mes të vitit 2021, duke e pasuar z. Nazim Sahiti që po ashtu ishte shkarkuar në atë kohë.
Një burim tjetër nga Policia e Kosovës i ka thënë Nacionales se “në këtë rast nuk kishim shkarkim të dhunshëm por lëvizje të pozitave brenda Policisë së Kosovës.”
Kujtojmë se në muajin mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës e kishte emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha. Kjo pozitë kishte qenë vakante për kohë të gjatë pas dorëheqjes së z. Samedin Mehmedi.