Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur në lidhje me ankesat e avokatëve të tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, të cilët kanë apeluar kundër vendimit për caktimin e paraburgimit.
Lum Dervishi 24 vjeçar, Kenan Hasani 23 vjeçar dhe Okan Hasani 24 vjeçar tashmë janë duke mbajtur masën e sigurisë atë të paraburgimit për 30 ditë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes apo përçarjes me rastin e sulmit ndaj gazetarit Syla, raporton gazeta online Reporteri.net.
Para 12 ditësh, konkretisht me 14 prill 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, u kishte caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve në këtë rast.
Apeli vërteton lirimin e Zekës nga akuza për incizim fshehurazi
Mirëpo, të pakënaqur me këtë vendim mbrojtësit e tre të dyshuarve, kanë paraqitur ankesa në Gjykatën e Apelit, e cila ende nuk ka vendosur në lidhje me këto ankesa.
Mbrojtësja e Lum Dervishit, avokatja Shemsije Asllani për Reporteri.net ka deklaruar se ende nuk kanë ndonjë informacion nga Apeli në lidhje me ankesat kundër aktvendimit të gjykatës lidhur me paraburgimin.
“Ende nuk kemi asgjë”, ka deklaruar avokatja Shemsije Asllani.
Edhe zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se ende nuk kanë marrë vendim në lidhje me këto ankesa.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ka përmendur faktin se sulmi ndaj gazetarit Syla ishte me motive ideologjike ekstreme fetare.
“Të motivuar me ideologji ekstreme radikale islamike e motiv të nxitjes së urrejtjes fetare dhe përçarjes e mos durimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një profili të tij në rrjetin social Facebook për profetin Muhamed dhe Profetin Isa, paraprakisht të dyshuarit e përcjellin të dëmtuarin nga TV T7 dhe me të arritur afër një restauroni në lagjen Bregu i Diellit duke ia rrezikuar sigurisë e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Ndërsa, të tre të dyshuarit kishin pranuar para organit të akuzës së kanë sulmuar gazetarin Syla ndërsa kanë përmendur faktin se kanë qenë edhe të sulmuar.
Me këto veprime të të dyshuarve, Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka edhe është trajtuar në QKUK. Të dyshuarit ishin arrestuar një ditë më vonë nga organet e rendit.
Fillimisht rasti ishte cilësuar si lëndim i lehtë trupor e më pas është rikualifikuar në nxitje të urrejtjes dhe përçarjes./Botapress.info/