Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se zgjedhjet e organizuara në katër komunat veriore janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Por Von Cramon ka shprehur keqardhje që Lista Serbe nuk ka marr pjesë, teksa dënoi ashpër frikësimin e të gjithë gjithë atyre që kanë dashur që të dalin të votojnë.
“Katër zgjedhjet për kryetar komune dhe dy zgjedhjet për asamble komunale që u mbajtën të dielën, më 23 prill, në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.
“Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe fuqishëm dënoj frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë për post apo të votojnë të dielën”.
Lajçak i kërkoi të përgatitet për Asociacionin, Kurti: Jam gati për takimin në Bruksel
Sipas saj, frikësimi i liderëve politikë serbë është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet demokratike.
“Pas një shtyrjeje të zgjedhjeve, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë serbë të opozitës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet”.
“Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.