Partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk po merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore sot. Por përfaqësuesja e kësaj partie ka marrë pjesë në takimet përgatitore në KQZ për zgjedhjet. Ditët e fundit ka pasur paralajmërime për mundësinë e destabilizimit të situatës në prag të zgjedhjeve, por kryeministri Albin Kurti tha se është në kontakt me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike.
Lista Serbe ka zgjedhur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në shenjë proteste për mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pavarësisht kësaj, Gordana Laban-Zuviq nga kjo parti ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku janë bërë përgatitjet për zgjedhjet në veri.
Tres amigos: Bëhet virale fotoja e Sveçlës me Pecin e Mujën duke ‘frymuar ndryshe” nga ura e Ibrit
Në Beograd i cilësojnë jodemokratike dhe jolegjitime zgjedhjet që po mbahen sot, për shkak se nuk po merr pjesë partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Duke marrë shkas nga kjo, Blerim Vela, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani i ka renditur disa fakte për ta dëshmuar të kundërtën, duke përmendur edhe përfaqësimin e Listës Serbe në KQZ.
“Përderisa Serbia përdor dhunën, frikësimin, korrupsionin dhe tani po përdor ndërhyrje në zgjedhje në veri të Kosovës, ajo po pretendon rrejshëm se institucionet e Kosovës po organizojnë zgjedhje “jodemokratike””, ka shkruar Vela të martën në Twitter.
“Lista Serbe përfaqësohet dhe merr pjesë në KQZ, ku po zhvillohen të gjitha përgatitjet zgjedhore për 23 Prill”, shkroi ndër tjerash Vela.
Ai ka përmendur edhe faktin që paraprakisht zgjedhjet ishin shtyrë për disa muaj dhe që KQZ-ja e kishte zgjatur afatin e regjistrimit të partive dhe kandidatëve për disa ditë, pikërisht për shkak të Listës Serbe.
Gazeta Express ka provuar ta marrë një koment nga Gordana Laban-Zuviq. Ajo fillimisht ka thënë se s’mund të fliste në atë moment dhe më vonë nuk u bë e qasshme në telefon.
KQZ-ja së fundmi ka publikuar listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunave veriore.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime. Prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.
Për dallim prej herëve tjera, në këto zgjedhje votimet, përveçse në disa shkolla, po mbahen edhe në kontejnerë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe kryenegociatori Petar Petkoviq javën e kaluar shkuan në Rashkë, aty ku u tha se po bëhen trajnime për destabilizimin e Kosovës në prag të zgjedhjeve.
Aty, afër kufirit me Kosovën, ata u takuan me udhëheqësit e Listës Serbe. Në këtë takim u miratuan pesë konkluzione. Së pari, ata kërkojnë “reagim urgjent” nga BE-ja ndaj Kosovës. Së dyti, ata e vendosin formimin e Asociacionit si “parakusht absolut” për vazhdimin e dialogut.
“Kërkesë për formimin e pakushtëzuar dhe urgjent të Asociacionit. Është një parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtejshëm në dialog”. Ky ishte konkluzioni i dytë nga ai takim. Nga ajo ditë, ata thanë se do të kërkojnë tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga çdo vend në veri.
Serbia kërkoi që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen “pas formimit të Asociacionit”.
Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje, Vuçiq tha se ua ka treguar perëndimorëve kushtin e tyre. “Kanë javë që thonë – ju lutem zoti Vuçiq, do t’ju shpallim fajtor nëse prishen zgjedhjet”, ka thënë ai.
Rreziku për destabilizim, aktualisht procesi i votimit po zhvillohet pa probleme
Kosova ditët e fundit ka parë rrezik që situata në veri të vendit të destabilizohet këto ditë, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna të asaj pjese.
Krerët e shtetit u tha se kishin marrë informacione nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë lidhur me rrezikun e destabilizimit të situatës në veri të vendit. Por kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha të premtën e kaluar se Serbia nuk mund ta kushtëzojë Kosovën për zgjedhjet në veri dhe se për to kanë marrë një garanci nga ndërkombëtarët.
“Nuk mund të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur mundtë ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar. Një kompromis i mëhershëm ka ndodhur dhe zgjedhjet janë shtyrë një herë. Ato janë shtyrë me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi marrë garancinë prej tyre se nuk do të shtyhen më shumë se një herë”, tha Konjufca.
Një ditë më herët, kryeparlamentari u kishte bërë thirrje thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.
Por kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se nuk ka informacione se po përgatiten pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve të dielën. Ai tha se është në kontakt me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike.
Megjithatë, Kurti tha se Beogradi zyrtar, përmes mediave, po “frikëson qytetarët serbë” që jetojnë në veri të Kosovës.
“Unë i ftoj që të gjithë këta që kanë të drejtë vote që të dalin dhe të votojnë. E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveç frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Një shtyrje tjetër e zgjedhjeve, Kurti tha se “nuk mund ta tolerojmë”. Ai tha se është i vetëdijshëm se dalja e qytetarëve për të votuare mund të jetë e vogël.
“Ne zhvillojmë takime me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe po bëjmë përgatitje të domosdoshme që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë, të lirshme, të ndershme dhe demokratike”, tha Kurti, duke i ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote ta shftytëzojnë atë të dielën.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë sot se procesi zgjedhor në veri “po shkon në rregull” dhe se “nuk ka ndonjë problem”. Ai u bëri thirrje qytetarëve të komunave veriore që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.
Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, bashkë me serbët në disa institucione të vendit, kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u planifikua të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo me rekomandimin e ndërkombëtarëve, ato u shtynë mes incidenteve të shkaktuara.
Bashkimi Europian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – nuk kanë kërkuar më që zgjedhjet të shtyhen. Ato këtë herë vetëm kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe që ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb dhe që mbështetet nga Beogradi, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje./Botapress.info/