Komuna e Kamenicës që drejtohet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje, ka angazhuar disa konsulentë për shërbime të veçanta.
Pesë konsulentët do t’i kushtojnë kësaj komune të varfër të Kosovës gjithsej 69 mijë euro për një vit.
Demokracia.com ka vërejtur se mes konsulentëve, Rahimaj i njohur edhe si “Luani i Kamenicës”, me këtë kontratë ka shpërblyer edhe aktivistët e Vetëvendosjes.
Emri i kontratës është shërbime të Konsulencës – Angazhimi i ekspertëve të çështjeve të caktuara për shërbime konsulentë përmes Marrëveshjeve për shërbime të veçanta (konsulentë individ) për nevoja të Komunës së Kamenicës, në pajtim me Rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta (konsulenti kontraktohet individual).
Rahimaj e ka angazhuar për konsulent ndërtimi aktivistin e Vetëvendosjes, Aridon Sylejmani. Ai do të marrë 9 mijë e 480 euro për këtë punë.
Sylejmani nuk e fsheh fare në rrjetet sociale se është aktivist i Vetëvendosjes. Aty mund të shihen fotografi nga aktivitetet partiake. Sylejmani ka edhe fotografi me liderin e VV-së, Albin Kurti, si dhe me aktivistë të tjerë.
Konsulent ndërtimor, Rahimaj e ka angazhuar edhe Blerant Mujajn. Edhe ai do të paguhet për këtë shërbim 9 mijë e 480 euro.
Ibrahim Beqiri do të paguhet nga Komuna e Kamenicës 11 mijë e 400 euro si konsulent për dizajn dhe arkitekturë.
Konsulentja tjetër është Vjollcë Kryeziu. Ajo në Facebookun e saj e ka të shkruar se punonte edhe më herët si konsulente në komunë.
Madje, ajo në Facebook shpërndan pothuajse çdo postim të Rahimajt.
Ajo në një postim në Facebook shprehet krenare se Kamenica udhëhiqet nga Kadri Rahimaj.
Puna e saj do të shpërblehet me 9 mijë e 480 euro, shkruan Demokracia.com.
Kryeziu duket se e ka shoqëruar Rahimajn edhe gjatë një vizite në Zvicër. /Botapress.info/