Dy vjet në LVV dhe gati po aq në krye të KEK-ut. Çka dihet për Nagip Krasniqin? Nagip Krasniqi ishte pjesë e rëndësishme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe tani ka gati vjet që e drejton ndërmarrjen më të madhe publike në vend, Korporatën Energjetike të Kosovës, pasi partia e tij erdhi në pushtet.
Kryeshefi i KEK-ut u arrestua të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit. Një njësi e veçantë e hetimeve ia bastisi atij zyrën dhe dy banesa në Prishtinë.
Krasniqi kishte mohuar se kishte qenë anëtar i LVV-së, por këtë nuk e mohon sot partia në pushtet.
“Profesionist me eksperiencë me një histori të dëshmuar të punës në industrinë bankare, financë dhe energjetike. Përvojë e gjerë në menaxhim të lartë, të aftë në menaxhim, strategji biznesi, fintech dhe financa të korporatave”. Kështu e përshkruan Krasniqi veten në platformën “Linkedin”. Pak a shumë njësoj atë e kanë përshkruar edhe eksponentët e LVV-së sot në një seancë parlamentare. Në partinë e Albin Kurtit janë indinjuar fort me arrestimin e Nagip Krasniqit dhe sulmet e pushtetit janë drejtuar kah Prokuroria Speciale, e cila urdhëroi arrestimin.
Krasniqi ishte parë në disa takime me drejtues të lartë të LVV-së.
“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”, thuhej në një komunikatë të Vetëvendosjes të publikuar me 30 tetor 2019.
Krasniqit, i cili ishte drejtues i Komitetit për Energji në LVV, më 4 tetor 2021 iu besua pozita më e rëndësishme në këtë ndërmarrje. Atë e zgjodhi një bord i përkohshëm i KEK-ut i emëruar nga Qeveria. Përzgjedhja formalisht u bë nëpërmjet një konkursi në të cilin kishin konkuruar 38 kandidatë. Por bordi që e zgjodhi Krasniqin ishte emëruar nga Ekzekutivi pa ndonjë konkurs publik. Vetëm kur procesi i përzgjedhjes ishte në zhvillim, Qeveria kishte shpallur një konkurs për bordin e rregullt të drejtorëve të KEK-ut.
Bordi i përkohshëm e kishte vlerësuar Krasniqin me 37 pikë nga 40 të mundshmet. Ai ishte në garë me Nexhat Kryeziun, i cili kishte qenë kandidat për deputet nga LVV-ja. Edhe Kryeziu kishte marrë goxha pikë (31.5), por pushteti kishte vendosur për Krasniqin.
Edhe ekspertët britanikë të kompanisë BDO e kishin poentuar më së shumti Krasniqin, por s’i kishin dhënë aq pikë sa bordi. Nga britaniket ai kishte marrë 26.5 pikë.
Pasi ishte intervistuar, disa nga anëtarët e bordit të KEK-ut kishin dhënë komente për paraqitjen e tij, në kundërshtim me praktikat e ekspertëve britanikë, pasi konsiderohet se kjo mund të ndikojë në proces.
“Gjashtë nuk ka se krejt ia kisha qitë”, “ky ish shumë i mirë”, “po na e zdritë fytyrën edhe para këtyre britanikeve”, “rrjedhshmëria e tij është e pabesueshme”. Këto kishin qenë qenë disa nga komentet para poentimit.
Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në vend dhe më herët në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ai ka diplomuar për Biznes dhe Ekonomi Menaxheriale në Universitetin e Prishtinës në vitet ’80 dhe pas luftës për një vit kishte studiuar në Financa në CITY College në Selanik të Greqisë.
Nagip Krasniqi kishte punuar në KEK edhe në vitet 2006-2008 për rreth një vit e gjysmë.
Për veprimtarinë e tij në atë kohë nuk dihet shumë dhe as nuk gjenden informacione në internet. Sipas gazetarit dhe analistit Astrit Gashi, Krasniqi kishte pasur një “histori akuzash për keqpërdorime” që atëherë.
“Sipas raportimeve ai ka qene i shkarkuar nga drejtori financiar i KEK-ut nen dyshime per keqperdorime diku ne vitet 2006-2007. Qeveria e Kosoves e ka emeruar ate drejtor ne KEK duke i ditur keto fakte. Sekendejmi emerimi i tij eshte “nje ndermarrje e perbashket kriminale” ndaj sistemit energjetik, pjese e se ciles eshte edhe Ambasadori Martin Berishaj. Nagipi eshte serish sot nen hetime, por duhej te ishte jo vetem ai, por e tere “ndermarrja kriminale” e energjise me ne krye ata qe e kane emeruar! Poshte hajnat ne institucione!”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Emri i Krasniqit është lakuar edhe në skandalin e shpëlarjes së parave, pjesë e së cilit u bë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj – një skandal që përfshin miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura ‘cash’ mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.
Prokuroria Speciale fillimisht pati nisur një hetim preliminar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, ndërsa Krasniqi më vonë do të përfshihej në raportet e hetuesve të Policisë. Dyshohej për përfshirje në një rast korruptiv. Krasniqi i kishte nënshkruar dy marrëveshje të cilat dyshohet t’i kenë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit.
Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci në mars të vitit të kaluar, atje ku Berishaj shërben si ambasador i Kosovës. Hetuesit policorë dyshojnë se ata dy ishin takuar atje.
Në janar, Nagip Krasniqi i kishte kërkuar Expressit të mos e shqetësojë, pas një interesimi të gazetës për të marrë një koment nga ai mbi këto pretendime./Botapress.info/