Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka polemizuar me kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që “ zakonisht agjëron në ditët kur ftohet për iftar”.
Këtë deklaratë e ka komentuar gazetari Xhemajl Rexhaj.
”KM Kurti thotë se agjëron kur është i ftuar në iftare, si sot”, ka shkruar Rexhaj në Twitter.
Por atij i ka ardhur reagimi nga zëdhënësi i ekzekutivit, i cili ka thënë se Rexhaj e ka shtuar fjalën “si sot”.
“Citati i plotë: “Në ditët kur kam shkuar nëpër iftare, zakonisht kam agjëruar. Dhe këtë e kam bërë, jo vetëm sivjet”. Një fjalë, “zakonisht”, fillimisht ia ka largu EO. Pjesën tjetër, “si sot”, ia paske shtu ti. Ndërkohë EO e ka përmirësuar. Kur pe përmirëson ti?”, ka reaguar Kryeziu, të hënën.
Deklarata e kryeministrit Kurti është komentuar nëpër rrjetet sociale, në një kohë ku diskursin publik po e dominojnë debatet mbi fenë. /Botapress.info/