Presidentja Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë për gazetarin Valon Syla, i cili mbrëmë është përcjell dhe është sulmuar fizikisht nga tre persona.
Sulmi i rëndë ndaj gazetarit Valon Syla ka nxitur reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe misionet e huaja në Kosovë. Në orën e parë të raportimit për sulmin, ka reaguar Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”, thuhej në shkrimin e Konjufcës. Reagim ka bërë edhe Kryeministri Kurti dhe ministra të tij, të cilët kanë kërkuar që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
Por deri në këto orë, po mungon reagimi nga shefja e shtetit, e cila që prej se ndodhet në zyrën kryesore të shtetit nuk është se ka shfaqur shumë ndjeshmëri kur janë sulmuar gazetarët- as kur këtë e ka bërë bashkëshorti i saj e as ndonjë zyrtar në Presidencë.
Organizata më e madhë e gazetarëve në Evropë, EFJ, kërkoi nga krerët e shtetit të mos heshtin ndaj sulmit fizik që iu bë rreth mesnatës gazetarit Syla. Sot në mesditë, Kryeministri Albin Kurti hapi mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se sulmi ndaj Sylës është “i patolerueshëm dhe i papranueshëm”.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha, ndër të tjerash, Kurti.
Sulmi i mbrëmshëm ka nxitur reagime të shumta të komunitetit të gazetarëve dhe të sferës publike në përgjithësi.
Gazetari që drejton Gazetën Metro, është lajmëruar para pak minutash me një shkrim të publikuar në Facebook. Ai beson se sulmi ndaj tij ka ardhur pas shkrimeve të tij për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe postimet për hoxhën nga Prizreni, Mazllam Mazllami, të cilit iu bë dhuratë një veturë luksoze.
“Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk ju nevojitet paqja, pa liri”, thuhet ndër të tjera në një shkrim të Sylës, të pubkikuar në profilin e tij në Facebook.
Osmani, nuk ka reaguar as kur shefi i Stafit të saj, Blerim Vela, ka sulmuar herë pas herë mediat. Edhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, është i njohur për gjuhën linçuese ndaj mediave dhe gazetarëve. /Botapress.info/