Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka qenë i qartë në përgjigjen e tij kur u pyet nëse po ndodhë implementimi i Asociacionit, dhe nëse është afër formimi i tij. Ai po ashtu, u deklarua edhe rreth fillimit të gjykimit në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çka tha diplomati amerikan në intervistën e fundit?
Ambasadori i njohur në një paraqitje në “Euronews Serbia” është pyetur edhe rreth deklaratave të bëra nga kryeengociatorët dhe dallimet mes tyre.
“Shpesh kemi përfundime të ndryshme, por çka është e qartë, disa çështje kryesore do të implementohen. Një prej më të rëndësishmeve, siç është thënë nga ShBA-ja dhe BE-ja, është se duhet të formohet Asociacioni sa më parë…” – tha ai.
“Po, implementimi po ndodhë”
Diplomati amerikan u pyet edhe nëse “jemi afër formimit të Asociacionit dhe nëse do të bazohet në marrëveshjen e Brukselit…”.
“Po, implementimi po ndodhë. Negociatat ishin të vështira, por ka një udhëzim të qartë, që është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Edhe pse negociatat sigurisht që do të jenë të vështira, djalli është në detaje, dhe ka shumë të tilla. Mendoj që kemi udhëzime të qarta, sepse nga gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ne e dimë se si do të duket ai komunitet.” – tha Hill.
Çka rreth deklaratave të Kurtit? Hill la të kuptohet se të njëjtat veç e bëjnë procesin më të vështirë, megjithatë, ai u beson ndërmjetësuesve Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
“Unë mendoj që ka konsensus për atë që është në vazhdim dhe që do të ndodhë. Sigurisht, ka shumë fjalë e fjalë, dhe nëse i bën të gjitha bashkë në negociata, nuk duket mirë, por tani ka një kuptim më të madh se sa që fjalët e tregojnë.” – tha ai.
Hill flet edhe rreth Hagës
Një prej pyetjeve konkrete që iu shtrua atij, ishte edhe kjo: “Nëse dënohen, a është ky problem për NATO-n që ka bashkëpunuar me ta në vitet 90?”
Ambasadori Hill ka thënë se duhet të lejohet që gjykimi të vazhdojnë dhe të pandehurve t’u jepet mundësia që të sqarohen.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk duhet të flitet për këtë temë aktualisht, pasi që gjykimi po vazhdon.
“Gjykata për krime lufte është themeluar shumë kohë më parë, edhe para asaj që ka ndodhur në Kosovë. Mendoj se është e rëndësishme të lejojmë që ato gjykime të vazhdojnë, të paraqesin prova, t’u jepet mundësia të pandehurve të sqarohen, do të shohim se çfarë thonë gjyqtarët në fund. Nuk mendoj se është e rëndësishme të flasim për këtë tani sepse gjyqi është në vazhdim.” – deklaroi ai.
Vlen të theksohet se Hill është ndër politikanët e parë amerikanë që po deklarohet rreth fillimit të këtij procesi, pasi që siç kishte raportuar edhe Nacionale, Ambasada Amerikane në Kosovë ende s’ka reaguar rreth kësaj, ndonëse ambasada të tjera kanë thënë fjalën e tyre.
Shtetet e Bashkuara e kishin mbështetur Gjykatën Speciale në vazhdimësi.
Ish-ambasadori Greg Delaëie kishte folur në lidhje me çështjen në vitin 2018, duke denoncuar haptas e në mënyrë të ashpër përpjekjen për ta zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.
“Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë: deputetët që e mbështesin këtë nismë – dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre – do t’ju nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses. Ata e dinë këtë; ua kemi thënë këtë.” – kishte thënë ai.