Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti duket se nuk po mësohet kurrësesi me parimin e ndarjes së pushteteve, një nga parimet themelore të demokracisë.
Kjo së paku po reflektohet në dy sfida të Qeverisë me Gjykatën Kushtetuese. Një në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tjetra me fillimin e kontestimit të Ligjit të Pagave që sot u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
Në të dy rastet, problem për Qeverinë e Kosovë dhe ligjet e saj po del të jetë qasja e tyre në ligje ndaj ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve.
Në njoftimin e Avokatit të Popullit për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Ligjit të Pagave thuhet se nuk është bartur fryma e aktgjykimit të Kushtetueses së vitit 2019 në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve. Ngjashëm ishte konkluduar edhe në aktgjykimin për rrëzimin e ligjit për KPK-në.