Mbrëmë në emisionin “Pressing” të T7, ish zëvendëskryeministri Adem Salihaj, ka folur për atentatin ndaj tij më 12 qershor të vitit 2000. Për këëtë rast ishte dënuar Shaban Syla. Ndaj deklaratave të mbrëmshme të Salihajt, ka reaguar sot Syla.
Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, mbrëmë ka dhënë detaje për atentatin që i është bërë në vitin 2000. Ai tregoi se si ka ndodhur e gjitha ngjarja, mirëpo nuk la pa përmendur edhe emra.
“Janë dy-tre veta me mbiemrin Syla, kushërinj të Azem Sylës”, tha ai, pa e përmendur emrin e njërit prej të dënuarve, Shaban Syla. Mirëpo, ky i fundit i ka reaguar Salihajt përmes një letre duke e quajtur gënjeshtar ish zëvendëskryeministrin.
“E kuptoj bukur mirë se të bëj një reagim ty personalisht Adem, është i pa vlerë. Nuk dua të merrem gjatë me ty se seriozisht nuk ia vlen, por me të vërtetë kjo që më shtynë të kundër reagojë është vetëm një gjë, se ti vazhdimisht je gënjeshtar. Mbrëmë the se ka ndodh një atentat ndaj teje më 12 qershor të vitit 2000, Adem mos, boll gënjeve, boll. A të vjen marre bre me këto gënjeshtra tuat dhe të agjentit të sigurimit shtetëror serb, Nazim Bllacës. Adem, sipas teje, në atë kohë dhe Nazim Bllaca ishim pjesëtarë të SHIK-ut. Adem, boll gënjeve, s’i han pazari më këto gënjeshtra”, tha Syla.
Salihaj mbrëmë foli edhe për një rast të kanosjes që i kishte ndodhur vitin e kaluar, për të cilin djali i Shaban Sylës ishte dënuar me 40 ditë burgim.
“Për rastin tim tentimvrasje janë dënuar njerëzit 24 vite burg dhe e kanë mbajt burgun. Plus djali i njërit prej atyre kryesorëve që kanë dashtë me më vra, më ka kanos vitin e kaluar dhe është dënuar më 40 ditë burg. Unë përditë kam kanosje, unë e di kush më kanos, të njëjtit janë, të njëjtat struktura”, tha ai.
Për këtë rast Sylaj ka thënë se djali i tij i kishte thënë që “do të përgjigjet me kanun” dhe sipas tij kjo nuk përbën kërcënim.
“Sa për rast të kanosjes, nuk e ka kanosur djali im Altion Sylaj, por i ka thënë se do të përgjigjesh me kanun, unë sa për kanun nuk e di që është kërcënim”, tha Syla.
Syla e akuzoi Salihajn se kishte incizuar këngë të një këngëtareje për çka më pas “njerëz të pafajshëm kanë hyrë në burg”.
“Adem, Nazim Bllaca drejt prej Beogradit ka ardhë në shtëpinë tënde, keni incizu CD të këngëtares, gruas së Arkanit dhe me këto CD keni çu njerëz të pafajshëm prapa grilave, madje njëri prej tyre edhe ka vdekur. Adem, kurrë ty personalisht nuk të kisha reagu, sepse je i tillë”, tha Syla.
Syla pretendon se në vitin 2005, Salihaj ka bërë një atentat ndaj vetes.
“Fole gjatë mbrëmë për këtë atentat të sajuar, pse nuk fole për atentatin që ia bërë vetes në vitin 2005, vetëm për përfitime qyqare të liga. A ishe ti i SHIK-ut, kush të urdhëroi ta kryesh këtë atentat ndaj vetes, i kujt ishte ai plumb, ajo revole sic kishe gënjyer më plagosi SHIK-u? Por KFOR-i amerikan të mori, ta mori revolen, të shëroi, çudi. Ky akt qyqar, që e keni bërë vetë, e keni plagosur vetën, është i njëjti sikur në vitet 80-ta, Martinoviqi që e kishte bërë me shishen e birrës”, ka thënë Syla.
Çka tha Adem Salihaj mbrëmë në Pressing?
Salihaj ka treguar se si ka ndodhur atentati ndaj tij më 12 qershor.
“Më 12 qershor të vitit 2000 ka pasur një tentim atentat ndaj meje, pra ditën e çlirimit të Kosovës. Pasi kemi bërë manifestimin e ditës së çlirimit, jam nisur të shkojë në shtëpi, gjatë rrugës është tentuar një tentim atentat dhe për 13 vjet të plota nuk është ditur kush e ka bërë këtë tentim. Pra ai personi që ka dashur të më vrasë ma ka drejtuar revolën, por për fat të mirë edhe unë kam pasur një revole dhe ia kam drejtuar atij. Për fat të mirë ai nuk ka mundur të shtijë drejt meje, por as unë drejt tij. Ka qenë një moment shumë tronditës. Pasi u larguan pak, unë kam shtirë tri herë, por jo drejt dikujt. Ata u futën në makinë dhe ikën”, tha Salihaj.
Duke folur për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, Salihaj tha se të akuzuarit nga Specialja janë shefat e njerëzve që e kanë kërcënuar dhe kanë tentuar ta vrasin.
“Është duke ndodhur gjykimi i njerëzve në Hagë. Thashë në fillim, është e dëmshme për Kosovën, pavarësisht që jam viktimë. Prej këtyre njerëzve, me fakte, janë dënuar njerëzit me emra. Për mua janë dy aktgjykime. Këta janë shefat e tyre. Edhe disa që nuk janë. Janë dy-tre vetë me mbiemrin Syla, kushërinj të Azem Sylës. Mos më kallxo mu. Azem Syla a ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Ata kanë lidhje të strukturës”, tha Salihaj.
“Për rastin tim tentimvrasje janë dënuar njerëzit 24 vite burg dhe e kanë mbajt burgun. Plus djali i njërit prej atyre kryesorëve që kanë dashtë me më vra, më ka kanos vitin e kaluar dhe është dënuar më 40 ditë burg. Unë përditë kam kanosje, unë e di kush më kanos, të njëjtit janë, të njëjtat struktura”, tha ai.
Letra e plotë e Shaban Sylës