Një qenie e lirë nuk është thjesht vetëm veprimi i së cilës nuk është i penguar, por përfshihen edhe gjërat të cilat ai i ka në dispozicion, në pronësi dhe disponon lirshëm me to. Është ai person i cili vendos dhe vepron edhe për të tjerët dhe gjërat e tyre. Prandaj, edhe dhënia e lëmoshës, edhe e dhuratës e sidomos e mbajtjes së personit tjetër, për qëllim nuk e ka ndihmën dhe bamirësinë, por dominimin dhe forcimin e pozitës për vetën e tij. Qëllimi i parë dhe final i bamirësise, në fakt është nënshtrimi i atij që i është bërë padrejtësia, dhe njeriut të pa drejtë e shtypësit, t’i jipet fuqi dhe argument moral, për pozitën që ka. Edhe dhurata, qëllim në vetvete ka futjen në borxh, atij që i dhurohet.
Pra, pasura e tjetrit, vetëm të robëron. Madje, edhe dhurata dhe lëmosha. Për të qenë i lirë, duhet të kesh medoemos pasuri tëndën.
Dhe, pse gratë nuk janë të lira?
Sidomos në vendin tonë, gratë nuk asgjë në pronësi të tyre. Mbi 80% e grave dhe vajzave në Kosovë nuk janë as në marrëdhënie pune, e veç rreth 4% kanë trashëguar. E duke qenë kështu, ato as nuk kanë qënë dhe as nuk janë të lira, nuk kanë vendos e as nuk vendosin për vetën e tyre. Duke mos pasur pasuri të tyre, grave u mohohet e drejta për të vendosur të lira edhe për çështje që kanë të bëjnë me trupin e tyre. Në thelb gratë dhe vajzat nuk janë zot as mbi trupin e tyre. Jeta e tyre varet nga njerëz të tjerë. E nga ai që merr, atij edhe i detyrohesh. Duke qenë se gratë jetojnë detyrimisht në pasurinë e burrit (sepse nuk trashëgojnë as nuk punojnë), ato i përgjigjën atij për çdo gjë, qoftë edhe për kryerjen së marrëdhënieve të detyruara seksuale. E drejta për të vendosur mbi madhësinë e familjes, numrin e anëtarëve të familjës i përket burrit, si dhe çdo lëvizje e gruas dhe fëmijëve, e gjithashtu e kontrollimit dhe vendimmarrjes për pasurinë.
Pra, për të qenë të lira, merrni atë që ju takon!
E drejta për pronë është një e drejtë themelore, dhe gratë dhe vajzat duhet ta kenë parasysh këtë. Pasuria e familjës, nuk iu takon vetëm djemve të ‘fisit’. E mbi të gjitha, duhet ta dinë se nuk është turp marrja e ‘hises’, por vetëm të forcon dhe të bën të lirë. E pasuria e burrit ose të dashurit, nuk është kurrë e jotja, ajo vetëm të nënshtron.
Mos u turpëroni!
Mos u mashtroni!
Mos ngurroni!
Guxoni!