Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting e ka piketuar ish-presidentin Hashim Thaçi në deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në nisje të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai e akuzoi Thaçin se para ZPS-së e kishte mohuar rolin e tij në luftë dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndërkohë, Thaçi që po i dëgjonte krejt akuzat, nuk pati asnjë reagim, raporton Gazeta Botapress.
“Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’ju dhënë prokurorëve intervistë të zgjatur dhe të video-incizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe lidhur me rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të ’98-ës dhe edhe pas kësaj date, ekzistonte vetëm në letër”, tha prokurori Alex Whiting.
Ai pretendoi se provat e Prokurorisë do të dëshmojnë se Thaçi kishte gënjyer dhe ndryshuar deklaratat e tij.