Sergio Aguero u detyrua të tërhiqej nga futbolli para dy vitesh si pasojë e problemeve në zemër. Ish-sulmuesit iu desh të kryente edhe një ndërhyrje kirurgjikale teksa vendosi një pajisje e cila do ta njoftonte në rast rreziku në momentin që rrahjet e zemrës do të kalonin ritmin normal. Dhe, diçka e tillë argjentinasit i ka ndodhur në një bashkëbisedim live ku trembi jo pak audiencën.
Aguero ishte duke folur normalisht, por një moment të caktuar shtangu dhe pushoi teksa nga ana tjetër e pyetën argjentinasin për detajet. Aguero e sqaroi situatën duke theksuar se ndjeu aritmi dhe se pajisja e vendosur i dërgoi një sinjal duke konfirmuar problemin.
Megjithatë, për fat të mirë Aguero shtoi se gjithçka ishte në rregull dhe se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Në muajt e fundit, ish-futbollisti ka përjetuar emocione të shumta ku sigurisht kulmi ishte në Katar teksa festoi Kupën e Botës me Argjentinën si pjesë e stafit të trajnerit Lionel Scaloni.