Lidhjet e forta me pushtetin bënë që dy shoqata humanitare nga Peja e Klina të përfitojnë mbi 335 mijë euro nga një fondacion i Qeverisë së Kosovës për kuzhinat popullore. Bëhet fjalë për “Shoqatën Humanitare Pejane” dhe “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit”, të drejtuara nga dy njerëz të afërt me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe partinë e tij..
Mbi 300 mijë euro të Qeverisë së Kosovës të dedikuara për financimin e kuzhinave popullore dyshohet kanë përfunduar në menaxhimin e njerëzve të afërt me një ministër të Qeverisë së Kosovës.
Lajm i keq: Rryma pritet të shtrenjtohet të enjten për 15 përqind
Dy njerëz të lidhur me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe me partinë e tij, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), kanë përfituar nga fondet e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore.
“Shoqata Humanitare Pejane”, e drejtuar nga Gazmen Polaca, një njeri i afërt me ministrin Krasniqi dhe funksionarë të tjerë të IRDK-së, ka përfituar 158 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për financimin e kuzhinave popullore.
Rreth 177 mijë euro nga fondi i qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, i ka përfituar edhe shoqata “Vëllezërit e Diasporës”, e cila udhëhiqet nga Fadil Ajrizaj, një person i afërt me ministrin Krasniqi dhe rrethin e tij politik.
“Shoqata Humanitare Pejane”, e cila ndodhet në Pejë, ka hapur kuzhinën popullore humanitare më 2021, në vitin kur ka përfituar ndihmën e parë financiare nga qeveria. Zyrat e selisë së shoqatës janë të mbuluara me logo të IRDK-së, partisë së ministrit Elbert Krasniqi, bazuar në disa dëshmi të cilat i ka siguruar Paparaci.
Lidhjen e Gazmend Polacës, shefit të “Shoqatës Humanitare Pejane” me ministrin Krasniqi dhe këshilltarët e tij politikë, e dëshmojnë edhe disa fotografi mes tyre të shoqëruar me njëri-tjetrin.
Pas nënshkrimit të kontratave ndërmjet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe shoqatave, në të njëjtën ditë përfaqësuesit e të dy shoqatave janë pritur në takim nga ministri Krasniqi.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/Foto-25-Takimi-i-Ministrit-Krasniqi-me-Perfaqesuesit-e-OJQ-ve-ne-diten-e-nenshkrimit-te-kontratave-per-ndarje-te-subvencioneve-nga-Ministria-e-Finansave.jpg)
I kontaktuar nga të martën, Gazmend Polaca, nuk e ka mohuar afërsinë e tij shoqërore me ministrin, por ka mohuar ndikimin e Krasniqit në procedurat e përfitimit të fondeve nga qeveria.
Polaca i ka thënë se gjatë këtij viti kanë përfituar 71 mijë euro nga thirrja e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, ndërsa vitin e kaluar 87 mijë euro. Në total, kjo shoqatë ka përfituar rreth 158 mijë euro nga fondet e qeverisë.
“Po gjatë këtij viti kemi përfituar 71 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar kemi përfituar 87 mijë. Elbertin e kom pas shok, dhe vazhdoj me pas shok, por nuk ka qenë kjo arsyeja e përfitimit të kësaj mase”, ka thënë Polaca.
![Gazmend Polaca në mbledhje politike të Degës së IRDK-së në Pejë](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/ujerere.jpg)
Ai i ka komentuar edhe logot dhe mbishkrimet e IRDK-së në zyrat e shoqatës.
“Po, ajo ka qenë zyra e IRDK-së, por në momenti kur e kanë lëshuar ata ne e kemi marr me qira”, ka thënë Polaca.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/Fondacion-1.jpg)
Shoqata “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit” është regjistruar si Organizatë Jo-qeveritare në vitin 2020. Ajo ka selinë në Klinë.
Brenda dy viteve të ardhshme, më 2021 dhe 2022, kjo shoqatë humanitare ka përfituar rreth 177 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për financimin e kuzhinave popullore.
“Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit” drejtohet nga Fadil Ajrizaj, një person i cili është shfaqur i afërt me ministrin Krasniqi dhe anëtarët e kabinetit të tij, tregojnë disa fotografi të cilat i ka siguruar Paparaci.
Një fotografi e publikuar në rrjetin social Facebook në shkurt të vitit 2022, shfaq Ajrizajn në shoqërinë e Muharrem Asllanit, këshilltarit të ministrit Elbert Krasniqi.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/ujhed.jpg)
“Respekt për këtë vëlla që maksimumin pe jep në përkrahjen e shoqatave”, thuhet në shkrimin e Ajrizajt mbi fotografinë me këshilltarin e ministrit.
Fotografi të tjera dëshmojnë për vizitat e ministrit Krasniqi në shoqatën e Ajrizajt në Klinë.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/Polaca-1.jpg)
Ajrizaj, në një prononcim ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me ministrin Elbert Krasniqi.
Ai ka thënë se është simpatizues i subjektit “Lëvizja për Bashkëveprim”.
“Jo nuk kam asnjë raport me ministrin Krasniqi, madje jam simpatizues i Lëvizjes për Bashkëveprim”, ka thënë shkurt Ajrizaj.
Qeveria e Kosovës, në shkurt të këtij viti ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e 19 kuzhina humanitare, në vlerë prej 1.2 milion euro.
Paparaci, ka provuar të kontaktojë me ministrin Krasniqi të martën, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon. /
![Fadil Ajrizaj, kryetar i shoqatës "Vëllezërit e Diasporës te Fadil Dukagjini", në takim me nënkryetarin dhe sekretarin e IRDK-së](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2023/03/ujhred.jpg)