Fahrije Hoti nga organizata gratë e Krushës ka dalë në mbështetje të marshit për drejtësi të cilin e ka ftuar platforma Liria Ka Emër më 2 prill në ora 14:00 në Prishtinë për t’u solidarizuar me krerët e UÇK-së një ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Hagë.
Ajo ka kujtuar se janë mbi 1600 shqiptarë të Kosovës që figurojnë akoma të zhdukur si pasojë e atij sistemi, derisa, fatkeqësisht, të vetmit që po ballafaqohen me drejtësinë sot janë ata të cilët luftuan për çlirimin e vendit të tyre.
Postimi i plotë:
Ka 24 vjet që unë, së bashku me shumë gra të tjera të Krushës e të Kosovës, jo vetëm që kemi humbur më të dashurit tanë – por nuk dijmë asgjë për fatin e tyre.
Djemtë, burrat, baballarët tanë, mungojnë dhe askush nga ish-sistemi gjenocidal serb nuk ka dhënë llogari.
Janë mbi 1600 shqiptarë të Kosovës që figurojnë akoma të zhdukur si pasojë e atij sistemi, derisa, fatkeqësisht, të vetmit që po ballafaqohen me drejtësinë sot janë ata të cilët luftuan për çlirimin e vendit të tyre.
Prandaj, unë së bashku me të gjitha gratë e Krushës e të Kosovës, më 2 prill do t’i bashkohemi marshit për drejtësi në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë.
E mirëpres dhe mbështes këtë iniciativë “Liria Ka Emër”. Të marshojmë së bashku për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja.