Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të Ohrit, ka deklaruar se me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar që ta aktualizojnë marrëveshjen e dakorduar të vitit të kaluar për të pagjeturit, në atë mënyrë mund të angazhohen urgjentisht për personat e zhdukur.
Kurti tha për media se më 18 gusht të vitit të kaluar në bisedimet në Bruksel, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin pajtuar për një tekst të marrëveshjes sa i përket personave të zhdukur por fatkeqësisht në atë ditë Vuçiq nuk deshi ta nënshkruaj. Kurse, tash, sipas tij, duhet që atë marrëveshje sërish ta aktualizojnë.
“Tani duhet atë marrëveshje sërish ta aktualizojmë dhe në atë mënyrë mund të angazhohemi urgjentisht për personat e zhdukur, pa dallim kombësie, ka ende 1617 persona të zhdukur në Kosovë, shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe serbë, ka edhe romë dhe pavarësisht se nga vijnë, cila është përkatësia e tyre kombëtare fetare, ne do të bëjmë të pamundurën që fati i tyre të zbulohet sa më shpejt dhe të mundësohet drejtësia”, tha ai.
Përndryshe, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë aktin e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.