I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë ditës së sotme do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Escobar një ditë para takimit të Ohrit, do t’i takojë krerët shtetërorë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti.
Takimi i parë do të zhvillohet mes emisarit amerikan dhe presidentes Osmani. Kjo e fundit do ta presë Escobarin në Presidencë në orën 09:00 dhe pas takimit do të ketë deklarime për media.
Pas Osmanit, emisari amerikan do të niset drejt Kuvendit të Kosovës, ku në takim do ta presë kryekuvendari, Glauk Konjufca.
Ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:20.
Ish-deputetja serbe skeptike për takimin e Ohërit: Problemi nuk zgjidhet brenda natës
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, z. Gabriel Escobar” thuhet në njoftim.
Qëndrimin e tij në Prishtinë, Escobar do ta finalizojë me kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri Kurti, do ta presë emisarin amerikan në zyrë të tij në ora 11:00.
Në komunikatën e Kryeministrisë, nuk përmendet se Kurti dhe Escobar do të deklarohen për media.
Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, zhvilloi një darkë me opozitën, nisur nga fakti se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë shprehur rezerva lidhur me propozimin evropian.
Në këtë darkë, që u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, prezentë ishin Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, dhe Ardian Gjini nga AAK, i cili e zëvendësoi liderin Haradinaj pasi ky i fundit gjendet jashtë shtetit.
Escobar dje dhe sot qëndroi në Serbi, ku paraditen e së enjtes në konferencë për media foli edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa tha se nuk pret marrëveshje, por që ajo përfundimtare do të ndodhë brenda vitit.