Partia serbe Zavetnici ka bërë thirrje për tubim kombëtar më 17 mars, duke theksuar se ka për qëllim të dërgohet mesazhi se “Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova”.
“Ne po i ftojmë të gjithë qytetarët në një tubim të madh kombëtar për t’u dërguar mesazh të gjithëve se Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova,”– ka thënë deputeti Nikolla Dragiçeviq i Partisë serbe Zavetnica, raporton Kosovo Online.
Bëhet e ditur se marshimi i 17 marsit do të nisë para kishës së Shën Savës në Beograd.
“Atë ditë nuk do të ketë flamuj dhe simbole partiake. E vetmja pankartë nën të cilën do të mblidhemi do të jetë trengjyrëshi serb,”- është thënë më tej nga partia, për mediat.
Deputeti serb ka theksuar se protesta e 17 marsit është një mundësi tjetër për të theksuar se “Serbia nuk do të pajtohet me ultimatumet e Brukselit dhe Uashingtonit, pavarësisht se Bashkimi Evropian thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tashmë e ka bërë këtë. “