Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si rrallë herë u mblodhën në mbrëmjen e së enjtes rreth orës 22:00 për të vazhduar seancën deri pasmesnate. Në seancën maratonike u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi veçanërisht për takimin e 27 shkurtit. Tone të larta e të ashpra u dëgjuan në Kuvend nga deputetë të pozitës e opozitës gjatë raportimit të kryeministrit Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri Kurti është përplasur me deputetët e opozitës, të cilët e akuzonin se ka dështuar për të marrë njohjen, se e ka pranuar formimin e Asociacionit, ka pranuar “ta tejkalojë” historinë, që ka ndryshuar çdo qëndrim, dhe, për shumëçka tjetër.
Përplasjet ishin të ashpra kur u fol edhe për nenin 7 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të cilën Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq u pajtuan në parim në Bruksel të hënën e 27 shkurtit.
Ky nen saktësisht thotë:
“Sigurimi i një niveli të duhur vetë-menaxhimi”
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”.
Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Kurti insiston se nuk ka asnjë implikim te përmbajtja e tekstit të propozimit në tërësi.
“Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ishte i pari që foli në emër të opozitës.
Abdixhku akuzoi kryeministrin Kurti se në dakordimin në Bruksel vendosi që ta tejkalojë të kaluarën e Kosovës, duke përfshirë, siç tha ai, krimet e masakrat që ka kryer Serbia.
Tutje, kreu i LDK-së tha se Kurti po ashtu ka fshehur nga publiku një pjesë të planit evropian.
“Ajo që nuk dihet se çka ka pranuar ky kryeministër është neni 7. Në gusht të vitit 2022, në një platformë për dialogun kryeministri ka kërkuar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, marrëveshje me njohje, kompensim të dëmeve të luftës, rishikim të marrëveshjeve paraprake dhe reciprocitet për pakicat. Si kryenegociator i fortë, kryeministër, na trego se sa prej këtyre kushteve tua janë marrë parasysh”, pyeti Abdixhiku.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se pas një procesi rreth dyvjeçar të negociatave, mbrëmjen e së hënës u kurorëzuan ato negociata me marrëveshje.
Sipas tij, deri te nënshkrimi i planit evropian është çështje ditësh, derisa tha se mosnjohja e statusit të Kosovës është problematike në këtë marrëveshje.
“Mosnjohja e statusit tonë fatkeqësisht e ka pamundësuar anëtarësimin tonë në OKB. Sikur të ishim anëtarë të OKB-së, kryeministër, edhe 1.000 vjet të mos na njohë Serbia. Fatkeqësisht jemi të pabarabartë”, tha ai.
Sipas tij, është vështirë të arsyetohet që kryeministri i Kosovës ka pranuar as të mos e kërkojë njohjen de jure nga Serbia.
Ai ka thënë se neni 7 është shumë problematik, duke konsideruar se është më problematik se Asociacioni.
“Neni 7 nuk flet për kompetenca të vetëqeverisjes lokale kryeministri tha se flet për instrumentet e këshillit të Evropës, me qëllim harroi të thotë cila është fjalia pasuese, ‘bazuar në praktikat e mëhershme’. Ne i dimë praktikat e mëhershme. Nuk po të akuzoj që je duke bërë tradhti kryeministër, veç po them marrëveshja është e keqe. Neni 7 është më problematik se që po thua. Neni 11 është pikëpyetje e madhe, të shohim çfarë do të bëni për planin”, ka thënë ai.
Kujtojmë se më 27 shkurt në Bruksel nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete pas takimit trepalësh të kryeministrit Kurti, presidentit Vuçiq dhe përfaqësuesve të BE-së ku u diskutua propozimi evropian për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin evropian, por nuk e bëri këtë për shkak se pala serbe nuk tregoi gatishmëri.