Departamenti i Energjisë i SHBA-së ka arritur në përfundimin se virusi Covid-19 ka shumë të ngjarë të ketë lindur nga një rrjedhje laboratorike, sipas një raporti të fshehtë të inteligjencës, të dhënë së fundmi Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarëve kryesorë të Kongresit, shkruan WSJ, përkthen Periskopi.
Ky deklarim nga Departamenti i Energjisë, i cili më parë ishte i pavendosur se si u shfaq virusi, u vu re në një përditësim të një dokumenti të vitit 2021 nga zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Avril Haines.
Raporti i ri thekson se si pjesë të ndryshme të komunitetit të inteligjencës kanë arritur në gjykime të ndryshme për origjinën e pandemisë. Departamenti i Energjisë i bashkohet tani Byrosë Federale të Hetimit duke thënë se virusi ka të ngjarë të përhapet përmes një fatkeqësie në një laborator kinez. Katër agjenci të tjera, së bashku me një panel kombëtar të inteligjencës, ende gjykojnë se ka të ngjarë të jetë rezultat i një transmetimi natyror.
Ky konkluzion i Departamentit të Energjisë është rezultat i inteligjencës së re dhe është domethënës sepse agjencia ka ekspertizë të konsiderueshme shkencore dhe mbikëqyr një rrjet laboratorësh kombëtarë të SHBA-së, disa prej të cilëve kryejnë kërkime të avancuara biologjike, shkruan WSJ, transmeton Botapress.info