Një aksident trafiku doli të jetë me pasoja fatale për 33-vjeçarin tashmë të ndjerë, Albanot Emerllahu. Vetura e tij me të cilën po udhëtonte bashkë me bashkëshorten dhe vajzën që s’ka mbushur ende një vit, u ndesh me një furgon në rrugën mes fshatit Domoroc dhe Hodonc të komunës së Kamenicës.
I ndjeri nuk kishte arritur që t’i përballojë plagët e rënda që mori dhe si pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku që doli në vendin e ngjarjes, teksa bashkëshortja dhe vajza e vogël janë transferuar me urgjencë në spital.
Gjendja kritike e të lënduarve nga aksidenti i Kamenicës – ShSKUK jep detaje
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Emergjente në Gjilan kanë bërë me dije se pas dhënies së ndihmës së parë, dy të lënduarat janë transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
I lënduar rëndë ka mbetur edhe shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin dhe i njëjti po ashtu është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet se erdhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, me ç’rast vozitësi i furgonit ka humbur kontrollin mbi timon dhe doli në shiritin e kundërt ku ka goditur veturën të cilën po e drejtonte i ndjeri, Albanot Emerllahu.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./Botapress.info/