Edhe në muajin e parë të vitit 2023 kosovarët janë përballur me rritje të çmimeve e me normë të lartë të inflacionit.
Këtë e tregon më së miri edhe raporti i fundit i ASK-së me titull “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Janar 2023”, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9 për qind në muajin janar 2023.
Në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2022, norma e inflacionit në janar të këtij viti është 12.1 për qind.
Çka thotë raporti i ASK-së?
Të dhënat e këtij raporti tregojnë se në muajin janar, krahasuar me muajin dhjetor 2022, pati rritje prej 10.4 për qind tek perimet, ndërsa energjia elektrike u rrit për 3.1 për qind.
Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, pra janar 2023 me janar 2022, rritje më të madhe përjetuan vajrat dhe yndyrat të cilat u rritën për 26 për qind, po ashtu buka dhe drithërat 21.2 për qind si dhe produkte të tjera.
Në vazhdën e kësaj rritje ishte edhe mishi i cili u rrit për 18.9 për qind e më pas për të vazhduar edhe sheqeri, mjalti e ëmbëlsirat të cilat u rritën për 18.9 për qind, e më pastaj edhe karburantet me 13.3 për qind.
Energjia elektrike u rrit për 15.4 për qind.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (10.4%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (9.9%); mbrojtje sociale (9.5%); pije alkoolike (9.4%); kafe, çaj dhe kakao (9.0%); pemë (8.8%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (8.8%); gaz (7.7%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (7.6%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (7.5%); gjëra personale (7.4%); tekstile shtëpiake (7.3%); pajisje shtëpiake (6.4%); blerje e automjeteve (6.2%); veshje (5.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 12.1 për qind në IHÇK”, thuhet tutje në raportin e ASK-së.
Si duhet luftuar inflacionin?
Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se arsyeja se pse ky inflacion është kaq i lartë është për faktin se Kosova importon mallra shumë nga vendet e tjera.
Ai në një prononcim për Nacionale ka thënë se Qeveria do të duhej të formonte një paketë për të luftuar inflacionin çoftë duke rritur pagat, çoftë duke subvencionuar bizneset, por edhe uljen e tatimit të politikave fiskale.
“Norma e inflacionit mund të luftohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga masat që i merr Qeveria. Arsyet se pse kjo normë e inflacionit është e lartë është për faktin se ne e importojmë këtë inflacion. Pra, nëse shihen të dhënat zyrtare të ASK-së, shihet se kemi importuar mallra në vlerë shumë më të lartë dhe sasi më pak, pra mall më pak sesa vitin e kaluar. Kjo ka ndikim zingjiror, ndikon në xhepin e qytetarit. Qeveria do të duhej të bëjë një paketë për të luftuar inflacionin ndoshta mund të bëjë rritjen e pagave në sektorin publik, apo subvencionimin e bizneseve apo e subvencionon vetëm një sektor siç kanë bërë shumë vende të bashkimit evropian si p.sh. pjesën e energjisë elektrike ose e ulën ndonjë tatim të politikave fiskale”, ka thënë Rafuna.
Kryetari Rafuna tutje ka theksuar se aktualisht si zgjedhje ideale do të ishte ulja e tatimit të vlerë së shtuar ose edhe subvencionimi i bizneseve.
“Zgjidhja më ideale do të ishte ose ulja e tatimit të vlerë së shtuar, pra është koha që më mos me vjel në kufi, pasi ju ndihmon qytetarëve që të blejnë me çmime më të ulëta por në produktet ose çështja e tatimit të akcizës. Por, edhe subvencionimi i bizneseve. Kjo kish me qenë idealja”, ka thënë ndër të tjera Rafuna.
Rafuna, ndër të tjera ka thënë se Kosova nuk mund të eliminojë produktet e importit, pasiqë siç thotë ai janë pjesë e marrëveshjeve tregtare.
Ai ka thënë se duhet ndihmuar prodhimit vendor në mënyrë që importi i produkteve të jetë më i vogël.
“Jo nuk do të mundim që të i eliminojmë importin e produkteve në Kosovë, pasi jemi pjesë e marrëveshjeve. Mirëpo duke i ndihmuar prodhimit vendor i ndihmon atyre që të mos merren nga importi”, ka thënë Rafuna.
Edhe ekonomisti, Safet Gërxhaliu ka thënë se situata ekonomike në Kosovë po bëhet çdo ditë e më e vështirë.
Ai në një prononcim për Nacionale ka thënë se nëse shihen statistikat, Kosova në krahasim me vendet e rajonit e ka normën e inflacionit më të lartë.
“Situata aktuale ekonomike nuk është ashtu siç paraqitet nga institucionet. E vërteta është se Kosova po ballafaqohet me një inflacion të pakontrolluar përfshirë këtu faktin se edhe në janar dhe në shkurt të vitit 2023 kemi një normë të lartë të inflacionit është një e vërtetë mjaftë shqetësuese. E dyta, në çoftë se bëhet një analizë në mes Kosovës dhe shteteve të tjera të rajonit, ajo e ka inflacionin më të lartë dhe krejt kësaj i shtohet fakti se në vitin 2022 është arritur një rekord sa i përket importit të mallrave është një dëshmi tjetër se sa është goditur qytetari i Kosovës nga ky inflacion”, ka theksuar Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë, se për të luftuar inflacionin duhet të zhvillohet më shumë komunikim publiko-privat dhe duhet diskutuar më shumë situata ekonomike dhe jo të jetë në agjendë të parë vetëm ajo politike.
“Duhet të kuptohet se inflacionin nuk e bën qeveria, por ajo duhet ta luftojë atë. Në këtë drejtim kanë munguar hapa konkret se si duhet të luftohet inflacioni. Sot në Kosovë jeta po bëhet çdo ditë e më e vështirë sepse ka rënë fuqia blerëse dhe qytetarët me të ardhura të vogla janë shumë të goditur dhe kemi rritje të pakontrolluar të çmimit të mallrave e kemi ngrirje të pagave. Në këtë drejtim duhet të avancohet dialogu publiko-privat dhe të ketë dialog për ekonomi dhe jo vetëm ato politike”, ka thënë Gërxhaliu për Nacionale.
Për këtë çështje ka reaguar edhe njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndikimi negativ në fuqinë blerëse është shumë i madh për një periudhë të shkurtër.
Sipas tij, vlera reale e 100 eurove në janarin e 2021-ës ishte rreth 93.8 euro, në janar 2022-ës ishte rreth 87.6 euro, dhe tani në janarin 2023-ës është rreth 78.1 euro.
“Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në janarin e 2023-ës ishte 12.1%. Kjo është më shumë se mesatarja e vitit të kaluar që ishte 11.6%, më shumë se në janarin e vitit 2022, që ishte 7.1%, dhe shumë më shumë se në janarin e vitit 2021, që ishte -0.2%”, ishte shprehur ai përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
Tutje, ai ka theksuar se inflacioni mund të vazhdojë të jetë sfidë edhe këtë vit, dhe se kjo është një rënie në të ardhurat reale prej 16.7%.