Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se para një jave ka vendosur që të vendosë në gjendje gatishmërie sisteme të reja strategjike me bazë në tokë.
“Një javë më parë, unë nënshkrova një dekret për vendosjen e sistemeve të reja strategjike me bazë në tokë në gjendje gatishmërie. A do ta fusin hundën edhe aty, apo çfarë? Dhe ata mendojnë se gjithçka është kaq e thjeshtë? Çfarë, a do t’i lëmë ata brenda atje thjesht ashtu”- deklaroi presidenti rus.
Sipas traktatit “New Start”, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhej që ta kufizonin në nga 1 mijë e 550 numrin e kokave bërthamore në raketa balistike ndërkontinentale në gjendje gatishmërie në raketa balistike në nëndetëse dhe në bombardues të rëndë, raporton agjencia “Reuters”.
Kreu i Kremlinit tha, pa përmendur dëshmi, se disa njerëz në Uashington janë duke menduar për rifillimin e testimeve bërthamore. Prandaj, sipas tij, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe korporata bërthamore duhet të jenë të gatshme për të testuar armë bërthamore ruse, nëse është e nevojshme.
“Natyrisht, ne nuk do ta bëjmë këtë të parët, por nëse Shtetet e bashkuara kryejnë teste, atëherë do t’i bëjmë edhe ne. Askush nuk duhet të ketë iluzione të rrezikshme se barazia strategjike globale mund të shkatërrohet”- shtoi ai.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ende kanë arsenal të madh të armëve bërthamore, të cilat u kanë mbetur nga periudha e Luftës së Ftohtë. Këto dy shtete janë bindshëm fuqitë më të mëdha bërthamore në botë dhe së bashku kanë rreth 90 për qind të këtij arsenali në botë.
Putini mbajti një fjalim të gjatë të martën, duke u munduar që ta justifikonte luftën.
Ne nuk kishim dyshim se gjithçka ishte e përgatitur. E tërë kjo ishte tërësisht kundër dokumenteve të pranuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Do të doja që të përsëris: ata e filluan luftën dhe ne e përdorëm forcën për ta ndalur atë”– deklaroi presidenti rus.
Presidenti rus pretendoi se Rusia është përpjekur që ta zgjidhte konfliktin në Donbas me mjete paqësore. Sidoqoftë, sipas tij, zotimet e Perëndimit ndaj paqes dolën të ishin “mashtrim” dhe “gënjeshtër mizore” dhe pretendoi se Kievi është duke u munduar që të grumbullojë armë biologjike e bërthamore.
“Ne po bënim gjithçka që ishte e mundshme për ta zgjidhur këtë problem paqësisht, duke biseduar për një rrugë paqësore për të dalë nga ky konflikt, por një skenar shumë më ndryshe po përgatitej prapa shpinës sonë. Ata (Perëndimi) vetëm po luanin për kohë, duke i mbyllur sytë para vrasjeve politike, keqtrajtimit të besimtarëve”– shtoi ai.