Të hënën e ardhshme mbahet takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në Bruksel. Përkundër që ky takim po ndjell shumë shpresë – marrë parasysh qëndrimet e palëve për propozimin franko-gjerman – ka disa gjëra thelbësisht kontradiktore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë sinjale kohët e fundit se do ta pranojë propozimin franko-gjerman. Njësoj ka bërë në mes të muajit të kaluar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurti është shprehur vazhdimisht se po shkilej marrëveshja e 18 gushtit 2022 duke mos u organizuar takime të përmuajshme, siç thotë se ka qenë dakordimi i asokohshëm. Një takim urgjent ishte mbajtur më 21 nëntor, por tema për të cilën ishte folur ishte më e parëndësishme: targat ilegale të serbëve.
Por, takimi i radhës tashmë është konfirmuar. Madje, një konfirmim e dha edhe kryediplomati evropian Josep Borrell.
“Me ata të dy do të takohem në Bruksel më 27 shkurt. Po, i ftova të vijnë dhe të zhvillojnë bisedime gjatë gjithë ditës, sepse ne kemi një propozim në tryezë dhe shpresoj se ata do të jenë në gjendje ta pranojnë atë propozim si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre,” – u shpreh z. Borrell për Deutsche Welle.
Mirëpo, megjithatë pala serbe shprehet se nuk do të diskutohet për planin franko-gjerman pa formimin e Asociacionit.
Për herë të parë, kryeministri i Kosovës ka thënë se formimi i Asociacionit “mund të konsiderohej” në rast se plotësoheshin gjashtë kushte.
Presidenti serb Vuçiq në anën tjetër, ashtu si zyrtarë tjerë serbë, kanë theksuar që vazhdimi i dialogut pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumcië serbe ishte “i pakuptimtë”.
Nëse marrim parasysh deklaratën e z. Borrell, atëherë takimi do të jetë për propozimin franko-gjerman. Kurti e ka interpretuar draftin e fundit që iu dha në fund të muajit janar nga pesë emisarët ndërkombëtarë si “pranë formatit merre ose lëre”.
Në lidhje me atë se çka saktësisht do të diskutohet nuk ka dhënë detaje as Bashkimi Evropian, duke treguar vetëm formatin. Sipas tyre, fillimisht Borrell dhe Lajçak do të takonin Kurtin e Vuçiqin veç e veç dhe më pas do t’i takonin së bashku. Fokusi: propozimi i BE-së në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata megjithatë kanë paralajmëruar detaje shtesë në ditët që vijnë.
Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emmanuel Gauffre, u shpreh sot se ishte inkurajuese që do të mbahej një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, e si temë po ashtu e përmendi propozimin evropian (franko-gjerman).