Përparim Rama: Poliklinikën e vetme në Prishtinë që ofron shërbime dytësore në stomatologji, e kemi renovuar tërësisht

 

 

Poliklinika Stomatologjike në Prishtinë është rihapur pas një renovimi tërësor dhe pajisjes me inventar të ri modern, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se për herë të parë po ofrohen edhe shërbime sekondare dhe se investimi prej 350 mijë eurosh ka dyfishuar kapacitetin në 130 mijë shërbime në vit.

“Me këtë riorganizim do të vijë të testojë dhe ta shikojë shërbimin dhe po e shoh që shërbimet janë më të mira se në sektorin privat. Po i shoh të gjitha pajisjet të nivelit të lartë, kemi shkuar përtej, është vendi i parë për stomatologji në kryeqytet dhe në të gjithë Kosovën, që ofron shërbime sekondare pra jo vetëm primare dhe kjo është një risi, është një gjë e mirë. Për herë të parë në kryeqytet po ofrojmë edhe shërbime sekondare, është një investim prej 350 mijë eurove ku përveç restaurimeve dhe rekonstruimeve të ndërtesës kemi edhe pajisje të reja shtesë për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit. Këtu kemi një shërbim të nivelit më të lartë të mundur, super cilësor.

Rama theksoi se standardet janë evropiane, nuk ka më pritje për qytetarë dhe ofrojmë shërbime edhe për komunat tjera të Kosovës.

Tashmë nuk ka pritje, pra qytetarët nuk presin për shërbimet, përkundër faktit që ne ofrojmë shërbime për qytetarët e kryeqytetit, diku më shumë se 30 përqind të shërbimeve i kryejmë edhe për qytetarët tjerë të regjionit të gjithë Kosovës. Shërbime të cilat kryeqyteti nuk paguhet për to, prandaj duhet që t’i kemi parasysh që niveli qendror që fondet të cilat dedikohen për kryeqytet të jenë në pah me elemente, me shërbime që ne i kryejmë për qytetarët jo vetëm për qytetarët e kryeqytetit, por edhe të gjithë Kosovës. Ishit brenda dhe i patë standardet, janë standarde evropiane shumë të larta. Tashmë që kemi krijuar hapësira të reja të punës, kemi një staf me energji pozitive, që me dashuri ofron shërbime qytetarëve tanë. Kapacitetin e kemi dyfishuar, 79 mijë shërbime një informatë që e kemi marrë në vit, 130 mijë shërbime në këtë poliklinikë, këtu ekipa kryen një punë të mrekullueshme”, deklaroi Rama.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, shtoi se për gjashtë vite është rritur numri i shërbimeve me 15% krahasuar me vitin 2021, duke theksuar përkushtimin për cilësi dhe efikasitet në shërbime.

“Ne edhe gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare e kemi rrit shërbimet në stomatologji, diku 15 përqind kemi më shumë shërbime se në vitin 2021 dhe kjo tregon që përveç rritjeve të shërbimeve, ne po krijojmë edhe cilësi të shërbimeve. Sot nuk luftohet vetëm të jepen shërbime, por edhe cilësi shërbime. Me këto kushte ne po rrisim cilësinë e shërbimeve që po japim”, ka theksuar Sadiku.