Rrugëtimi i Haki Abazit në Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë me ngritje-ulje dhe nuk dihet nëse do të përfundojë, apo si do të përfundojë. I prezantuar si vlerë e shtuar në Lëvizjen Vetëvendosje, i vendosur më pas në pozitën e zëvendëskryeministrit, z.Abazi sot është veç deputet dhe kryetar i një komisioni, nga i cili “u urdhërua” që të shkarkohet. Si nisi gjithçka?
Fillimisht, le të kthehemi në 20 gushtin e vitit 2019, kur vetë kryeministri Albin Kurti, atëherë veç kryetar i partisë, konfirmoi anëtarësimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një status në Facebook, kryeministri e prezanonte Haki Abazin si “vlerë të shtuar për Lëvizjen Vetëvendosje”.
“Me Hakiun në Lëvizje, ndryshimet e domosdoshme në shtetin tonë po bëhen edhe më të afërta edhe më të lehta. Do të ecim bashkë drejt zgjerimit të mëtutjeshëm dhe fitores së pashmangshme.” – kishte thënë Kurti mes tjerash.
Më pas, e bëri zëvendëskryeministër
Pak muaj pas anëtarësimit të Abazit në Lëvizje Vetëvendosje, mori një prej pozitave më të rëndësishme në Qeverinë Kurti I, si zëvendëskryeministër.
Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Haki Abazi do të merrte 15 mijë e 896 vota. Megjithatë, Kurti duket se kishte vendosur që atij t’ia ofronte pozitën e të dytit në Qeveri.
Krejt kjo, siç ishte shprehur vetë Abazi, kishte qenë një befasi për të.
“Më ka ftuar, kam ardhë prej Shqipërisë, jemi taku dhe më ka tregu për konfiguracionin e qeverisë së tij, bashkë me LDK. Pas krejt konfirmimit për emrat, më është ofru pozita e zëvendëskryeministrit. As nuk e kam pritë, as nuk e kam diskutu, ka qenë befasi, shumë befasi.” – kishte deklaruar ai.
Tash veç deputet dhe kryetar i një komisioni
Nuk dihet se çfarë ka ndikuar që Kurti të mos ia besojë Abazit pozitën e njëjtë, herën e dytë kur e formoi Qeverinë.
Abazi ka marrë një numër të vogël të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, rreth 7 mijë e 500. Dhe prej atëherë, është vetëm deputet dhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Në fakt, ai ka qenë goxha i zëshëm në këtë pozitë, madje edhe karshi bashkëpartiakëve të tij. Abazi kishte ftuar për raportim zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, por për këtë të dytën, kishte pasur edhe ankesa, duke thënë se “nuk e takon shumë”.
Veç kësaj, deputeti në fjalë është bërë lajm nëpër media edhe për kritika ndaj shefes së tij në grupin parlamentar, Mimoza Kusari – Lilës, si dhe për disa çështje të tjera që siç ndodhë rrallë në Lëvizjen Vetëvendosje, ka pasur qëndrim pak më ndryshe se partia.
Kurti “urdhëroi” shkarkimin e tij, Abazi përmend skandale
Dhe në fund…duket se me një “urdhër” të Kurtit, Abazi do të shkarkohet nga pozita që mban tani.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai pasditën e së mërkures ka thënë se “me urdhërin e kryeministrit Kurti për të kërkuar shkarkimin nga pozita e kryetarit të Komisionit për punë të Jashtme dhe Diasporë, si dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë”, do të mbajë një konferencë për media.
Por, fjalia e fundit e shkrimit të tij që tërhoqi më së shumti vëmendje, ishte ajo ku paralajmëronte se do të flasë për audio e video-incizime, si dhe “skandale të tjera” që ky urdhër i mbulon.
“Nesër poashtu flasim për audio/ video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë.” – ka thënë ai.
Nuk dihet se për çfarë e ka pasur fjalën deputeti i LVV-së, por mbetet të shihet deri nesër në orën 10:00 se çka do të komunikojë ai para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës.