Abdixhiku: LDK është e duhura për ta udhëhequr Kamenicën drejt një kapitulli të ri zhvillimi

 

 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Kamenicë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, deklaroi se kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, është njeriu i duhur për të udhëhequr komunën drejt zhvillimit, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku tha se Surdulli tashmë e ka dëshmuar me punë përkushtimin e tij për Kamenicën.

“Shaipi nuk është emër i panjohur për Kamenicën. Ai ka qenë kryetar i këtij qyteti, dhe për tetë vite me radhë ju e keni parë se si punoi, se si udhëhoqi, se si vendosi interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër. Ai nuk ishte kryetar që qëndronte larg qytetarëve. Ai ishte aty, mes jush, duke dëgjuar hallet, duke kërkuar zgjidhje, duke punuar çdo ditë. Ju e dini se në kohën e tij u ndërtuan projekte të rëndësishme, u hodhën themele që edhe sot flasin për përkushtimin e tij. Shaipi nuk ka nevojë të dëshmojë se e do Kamenicën, ai e ka dëshmuar me punë, me përkushtim, me duar të pastra”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se kthimi i Shaip Surdullit në garën për kryetar vjen me përvojë e vizion të ri.

“Sot, tetë vite pas, ai kthehet më i fortë. Kthehet me përvojë të fituar, me përkushtim të pandalur dhe me një vizion të qartë për të ardhmen. Shaip Surdulli është kandidati që e njeh çdo rrugë, çdo lagje, çdo shkollë e çdo familje të Kamenicës. Ai është kandidati që nuk flet për spektakël, por për punë konkrete. Nuk premton gjëra të pamundura, por ofron zgjidhje reale. Dhe kjo është arsyeja pse sot ne besojmë fort se Shaip Surdulli është njeriu i duhur për të udhëhequr Kamenicën drejt një kapitulli të ri zhvillimi”, tha ai.

Ai shtoi se programi i LDK-së me Shaip Surdullin në krye do të ofrojë ndryshime thelbësore në komunë.

“Me Shaip Surdullin, kemi një program të qartë. Rrugët e fshatrave do të asfaltohen, që fëmijët të shkojnë në shkollë pa ecë në baltë, që prodhimet bujqësore të transportohen me lehtësi, që lidhja me qytetin të mos jetë pengesë por mundësi. Ujësjellësi do të arrijë në çdo shtëpi, që asnjë familje të mos vuajë mungesën e ujit të pijshëm. Fermerët do të marrin mbështetje reale me subvencione, me qasje në treg, me kushte më të mira për prodhimin e tyre. Kamenica nuk duhet të jetë thjesht vendi ku punohet toka për mbijetesë – ajo duhet të jetë vendi ku bujqësia bëhet motor i zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Abdixhiku u ndal edhe tek arsimi, duke thënë se ai do të jetë prioritet i Surdullit në Kamenicë.

“Arsimi do të jetë prioritet. Shkollat do të rinovohen, do të pajisen me kabinete të reja, me kushte moderne për nxënësit. Do të mbështeten mësuesit, sepse ata janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi. Kamenica nuk duhet të humbasë kurrë identitetin e saj si qytet i dijes”, tha ai.

Ai foli edhe për shëndetësinë dhe kulturën.

“Qendrat shëndetësore do të pajisen me aparatura moderne, me staf të mjaftueshëm, me shërbime cilësore. Qytetarët e Kamenicës nuk duhet të ndihen qytetarë të dorës së dytë, nuk duhet të udhëtojnë larg për një kontroll bazë. Shërbimi shëndetësor duhet të jetë këtu, pranë jush, për çdo familje. Kultura dhe rinia do të jenë në qendër të programit. Do të krijohen qendra rinore, hapësira për aktivitete kulturore e sportive. Rinia e Kamenicës ka talent, ka energji, ka ide. Por ata kanë nevojë për përkrahje, kanë nevojë për hapësira ku të shprehen, kanë nevojë për mundësi ku të zhvillohen. Shaip Surdulli do ta ofrojë këtë përkrahje, sepse ai beson se e ardhmja ndërtohet me të rinjtë”, tha Abdixhiku.

Nga ana tjetër, kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, tha se ndryshimi është i domosdoshëm, duke akuzuar qeverinë aktuale për keqpërdorim të fondeve.

“Sipas meje, më e rëndësishme për Anamoravën ka qenë që të ndërtohet autostrada që lidhe me Prishtinën. Komuna e Kamenicës po zbrazet nga të rinjtë, prandaj është përgjegjësi që të bëjmë ndryshim, që ta largojmë këtë kryetar dhe këtë qeveri injorante e hakmarrëse”, tha ai.

Surdulli theksoi se programi i tij synon zhvillimin gjithëpërfshirës të komunës.

“Ne së bashku do t’i sigurojmë fëmijëve dhe të rinjve arsim cilësor, punësim, mundësi për t’u pajisur me dituri sidomos të informatikës. Hapësira për të zhvilluar kulturën e sporteve. Do të ndërtojmë së bashku ekonominë më të zhvilluar, infrastrukturë më të mirë shkollore, shëndetësore e rrugore, bujqësi më të zhvilluar, do të kemi qeverisje transparente dhe efikase për të gjithë. Do ta shtojmë sasinë e ujit në qytet me hapjen e disa puseve të reja. Do të sigurojmë 24 orë ujë të pijshëm. Do të japim nga 100 bursa për student. Roli i gruas do të fuqizohet më shumë, do të ndihmojmë njerëzit me nevoja. Do të ndërtohet infrastrukturë për banim”, tha Surdulli.