Nëna e gruas që është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në vitin 2011, Diana Kastrati, Makfire Kastrati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ajo dhe bashkëshorti, Gëzim Kastrati, të kompensohen me 30 mijë euro për dëmin jomaterial, për dhimbjet e përjetuara me vrasjen e vajzës së tyre.
KOHA ka publikuar të premten dokumentin e Gjykatës së Apelit, në të cilin thuhet se detyrohen të paditurat, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës që të kompensojnë dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore të prindërve të Kastratit, për shkak të privimit nga jeta të vajzës së tyre, në vlerë totale prej 30 mijë eurosh.
“Detyrohen të paditurat Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të dy me seli në Prishtinë, që në emër të kompensimit të dëmit jo material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore, për shkak të privimit nga jeta të vajzës së paditësve, të ndjerës Diana Kastrati nga Prishtina, me datën 18.05.2011 në Prishtinë, nga ish bashkëshorti i saj, Adnon Jashari nga Prishtina, SOLIDARISHT t’ua kompensojnë paditësve Gëzim dhe Makfire Krasniqi të dy nga Prishtina, shumën totale prej 30,000 euro (tridhjetë mijë euro)”, thuhet në aktgjykimin e Apelit të cilin e ka siguruar KOHA.
Makfire Kastrati ka reaguar të shtunën përmes llogarisë së saj në Facebook, duke thënë se familja e saj ka ngritur padi për moskryerje të detyrës nga ana e institucioneve për mbrojtjen e vajzës së tyre.
Ajo ka thënë se kompensimi nuk është bërë solidarisht siç thuhet në aktgjykimin e Apelit.
“Parat e botës s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familjes Kastrati. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, unë nëna e Diana Kastratit, Makfire Kastrati e jo Krasniqi siç e keni shkruar ju (analfabetë ordinerë) i kam ca fjalë për ju. Ju, në publikatën tuaj, keni thënë “në emër të kompensimit jo material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore” prapë analfabetë. Familja Kastrati ju ka paditur për moskryerjen e detyrës tuaj, për dështimin në punën tuaj. JU i keni duart e përgjakura njëjtë si ata kriminelë duke dështuar e dështuar. Ju që sot thuani solidarisht, gënjeni se ju nuk na keni ofruar asgjë SOLIDORAISHT. Ju dështuat ta mbronit vajzën time, jo solidarisht, por që është punë e juaja”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se të hollat me të cilat ata kompensohen përmes vendimit, nuk mund t’i paguajnë përjetimet shpirtërore të tyre dhe se me to planifikon që t’i ndihmojë gratë në nevojë.
“Me falni vajza e gra, por definitivisht ky akt i Qeverisë është me prapavijë që të mos kërkoni ndihmë, që mos të çoni procese përpara, se do ju zvarrisin me vite e vite nëpër gjykata dhe në fund gënjejnë paturpësisht. Do të shihemi në gjyq për shtrembërim të lëndës, që gënjeni se SOLIDARISHT keni ofruar të hollat”, ka përfunduar ajo.
Më 2 shtator 2019, Gjykata Themelore e Prizrenit vendosi që nëna e babai i Kastratit të dëmshpërbleheshin me 95.000 euro. Si në këtë vendim ashtu edhe në atë të së premtes shteti (përfshirë Këshillin Gjyqësor e Qeverinë) shpallen përgjegjës për shkeljen e së drejtës në jetë.