Partia në pushtet, Lëvizja Vetvëndosje, e ka thelluar edhe më tej “kapjen” e Telekomit, pasi një tjetër militant i partisë është emëruar sot në një pozitë të rëndësishme brenda këtij institucioni, atë të shefit të kuletës së Telekomit.
Pas Burbuqe Hanës, që në dhjetor të vitit të kaluar u emërua Kryeshefe, një tjetër militant i VV-së, Feim Kelmendi, është rehatuar me pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës.
“Tensione” e “kërkesa ekstreme”, çka vendosën naftëtarët pas vendimit të Qeverisë
Kështu kanë bërë të ditur sot vetë nga ky institucion përmes një komunikate.
“Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A, me datën 10.02.2023, me vendim unanim zgjodhi z. Feim Kelmendi në pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës Sh.A”, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar.
Nga Telekomi po pretendojnë se përzgjedhja e Kelmendit në këtë pozitë është bazuar në një proces të rregullt e transparent, ku në fund Kelmendi ia ka dalë të vlerësohet me më së shumti pikë nga kandidatët e listës së ngushtë.
“Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e Zyrtarëve të Lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku z. Feim Kelmendi është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë. Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A, konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative”, thuhet tutje në komunikatën e Telekomit.
Sidoqoftë, Kelmendi del se nuk e ka fshehur asnjëherë përkrahjen e tij për Lëvizjen Vetëvendosje, e për udhëheqësin e saj Albin Kurti, që është edhe kryeministër i vendit.
Në rrjetin social Facebook, Kelmendi shpesh ka postuar fotografi të Kurtit të cilat i ka dekoruar veç me fjalë të mira për të, madje madje edhe të ekzagjeruara.
“Pos të madhit zot kish ditë me kriju këtë qenie kaq të kompletuar”, “Ky njeri [Kurti] krejt pjesët e trupit i ka të mbushura mend”, “Goja mjaltë po t’qet”, janë disa prej komenteve që Kelmendi, tashmë zyrtar në Telekom, ia ka kushtuar kryeministrit Kurti ndër vite.
Kujtojmë se Burbuqe Hana, e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, më 7 dhjetor të vitit të kaluar zyrtarisht ka marrë udhëheqjen e Telekomit të Kosovës për një mandat 3 vjeçar.
Hana u vu në krye të Telekomit pas presioneve të mëdha ndaj bordit, kjo pasi që Komisioni Britanik, i cili mori pjesë në rekrutimin për këtë pozitë, propozoi për kryeshef të Telekomit, Kreshnik Domin.
Në fakt, në rezultatet e prezantuara, ky komision propozoi vetëm Domin për këtë pozitë. Domi aktualisht mban pozitën e drejtorit të Shitjes në Telekomin e Kosovës.
Burbuqe Hana, në maj të vitit 2020, gjatë Qeverisë Kurti 1, ishte emëruar Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes së Telekomit.
Përveç e afërt me VV’në, ajo kishte qenë aktive edhe në të paktën një protestë të kësaj partie, gjatë kohës kur ka qenë në opozitë. /Botapress.info/.