Koeficienti i ri i pagave ka shkaktuar ndryshime të mëdha në disa sektorë publik. Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 është caktuar të jetë 105 euro. Vendim ky, i marrë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt, i cili zyrtarisht hyri në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Miratimi i këtij ligji u përcoll me debate të mëdha, pasi që, dikujt iu ngrit e dikujt iu ul paga. Madje, gjatë debatit tri partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie me vlerën e koeficientit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.
Me koeficientin e ri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila e ka koeficientin 18, do të marrë pagë 1 mijë e 890 euro. Pas saj zë vend kryetari e Gjykatës Kushtetuese i cili ka koeficientin 17.5 e që i bie se do marrë pagë 1 mijë e 837,5 euro.
Ndërkaq kryeministri Kurti do të ketë pagë 1 mijë e 785 euro e po aq do të merr edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë rritur për mbi 150 euro, bazuar në Ligjin e ri të Pagave. Me koeficient 16.4, deputetët dhe ministrat do të paguhen me nga 1722 euro në muaj.
Sipas ligjit të vjetër, paga bazë e një deputeti vlente 1,547 euro në muaj. Pagën e njëjtë me deputetët do t’i kenë edhe ministrat dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.
Në sistemin e drejtësisë, të cilët kanë paralajmëruar dërgimin e Ligjit në Gjykatën Kushtetuese, paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17. Koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales. Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.
Në shëndetësi, pagat e mjekëve do të jenë nga 7.4 për mjekët e përgjithshëm në 12 për specialistët. Pagën më të lartë do ta ketë drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, i cili do merr 1470 euro në muaj.
Pas tij radhitet mjeku specialist me 1260 euro në muaj, ndërsa mjeku i përgjithshëm do ketë pagë 777 euro.
Me 672 euro do paguhen kryeinfermierët, kurse infermierët nga 588 deri në 535.5 euro.
Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend.
Në Polici, drejtori i përgjithshëm do të ketë pagë me koeficient 14.5, ndërsa polici i thjeshtë koeficient 5. Kadeti policor do të ketë koeficientin 2.
Te zjarrfikësit koeficienti do të sillet nga 4 deri në 8.
Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.
Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.
Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.
Ndryshe, për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.
Ligji i Pagave rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.