Përkundër rritjes së inflacionit në Kosovë, përfshirë këtu rritjen e çmimeve të produkteve esenciale e energjisë, vetëm një sektor ka përformuar mirë në këtë kohë krize. Bankat dhe institucionet mikrofinanciare kanë përfituar shuma të majme të holla. Në fakt, fitimi neto gjatë vitit 2022 i tyre është nëntë shifror.
Shteti merr sërish në dorë çmimet e naftës, gjenden mospërshtatje me çmimet në botë
Për një vit të tërë, Bankat Komerciale në vend kanë arritur të sigurojnë fitim të pastër neto prej 140 milionë e 300 mijë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (dhjetor 2021), bankat kishin siguruar fitim neto prej 117.5 milionë eurosh. Pra, që i bije 22 milionë e 800 mijë euro më pak sesa në vitin 2022.
Raporti i fundit i publikuar për muajin dhjetor me titull “Sistemi Financiar, Informata Mujore, Dhjetor 2022”, tregon se deri në muajin dhjetor të vitit 2022 shuma e lëshuar nga bankat për kredi për qytetarët preku vlerën e 4,350.4 miliardë eurove.
Nga gjithë kjo shumë e madhe e kredive të lëshuara, 1,632.3 miliardë ishin për ekonomitë familjare, 2,689.2 miliardë ishin për korporatat jo financiare si dhe 11.4 milionë ishin për korporatat tjera financiare.
Në muajin dhjetor të vitit paraprak, pra vitit 2022 shuma e të hyrave ishte 370.4 milionë euro, ku 263.3 milionë ishin të hyra nga interesi. 230 milionë euro ishin shpenzimet, ndërsa norma në kredi në muajin dhjetor ishte 6.3 për qind.
5,554.6 miliardë euro ishin depozitat në muajin dhjetor të vitit 2022. Nga gjithë kjo shumë e kursimeve, 3,646.9 miliardë ishin të ekonomive familjare, ndërsa 1,174.8 miliardë ishin të korporatave jo financiare.
Mirëpo, përveç bankave, janë edhe Institucionet Mikrofinanciare ato që e trashën fitimin gjatë vitit 2022. Për një vit ato kanë arritur të fitojnë 17.2 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë, ato kanë arritur të fitojnë diku 2.9 milionë euro më shumë, pasi deri në dhjetor të vitit 2021, fitimi i tyre kishte shkuar në 14.3 milionë euro.
Shumë e kredive e lëshuar nga këto institucione ishte 238.3 milionë euro. 155.6 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, ndërsa 82.7 mijë për korporata jo financiare.
Pse-ja?
Ekonomisti Mustafë Kadriaj, në një prononcim për Nacionale ka thënë se në kohë krize, bankat e rritin fitimin për dy arsye.
Ai ka thënë se bizneset dhe ekonomitë familjare në kohë krize orientohen përmes bankave për të kaluar atë, ndërkohë që sipas tij në këto raste bankat e rrisin normën e interesit.
“Në kohë të krizave, është e vërtetuar që bankat e rritin fitimin për dy arsye: Bizneset dhe ekonomitë familjare orientohen përmes bankave për të kaluar krizën e cila e rritë kërkesën dhe në momentin që rritet kërkesa, bankat janë komode për të rritur kamatën. Bizneset nuk kanë alternativë tjetër ku ta rrisin aktivitetin financiar. Bankat janë e vetmja zgjidhje, të cilat ato tani lëvizin me ekonominë e tregut duke i rritur kamatat dhe kjo i rëndon si bizneset ashtu edhe mirëqenien ekonomike”, ka thënë Kadriaj.
Tutje, ekonomisti Kadriaj ka theksuar se në kohë krize kur mundësia e falimentimit të bizneseve është më e madhe, e rrisin normën e interesit, ngaqë kërkesa për kredi është e madhe dhe se ato janë të prirura për rritje.
“Në kohë të krizave është shumë e natyrshme rritja e interesit dhe rritja e profitit tek bankat, pasi në kohë krize rrisku për të dështuar bizneset është më i madh dhe ato tentojnë që sa më shumë ta rrisin interesin dhe të nxjerrin kryegjënë që na japin në fillim. Bankat në këto koha luan me kartën e tregut të lirë, pasiqë përderisa ka kërkesë për kredi, ato janë komode që ta rrisin edhe interesin”, ka thënë Kadriaj.
Ndryshe, edhe ekonomist Besnik Avdiaj, ka thënë se me gjithë krizën ekonomike, profiti neto i bankave vazhdon të jetë pozitiv, madje edhe në rritje nëse krahasojmë vitin 2022 me atë 2021.
“Kosova karakterizohet me një situatë stabile makroekonomike financiare. Rol dominant në këtë luan likuiditeti i bankave komerciale. Në fakt, tek ne, bankat komerciale jo vetëm që kanë likuiditet të lartë, por janë edhe shumë profitabile, siç edhe vihet re nga rritja periodike e parametrave të fitimit. Me gjithë krizën ekonomike, profiti neto i bankave vazhdon të jetë pozitiv, madje edhe në rritje nëse krahasojmë vitin 2022 me atë 2021”, ka theksuar Avdiaj.
Sipas tij, rritja e aktivitetit ekonomik në vlera numerike nënkupton më shumë transaksione dhe më shumë vlera të mëdha veçanërisht për shkak të inflacionit, e që siç thotë ai kjo rezulton në rritje të hyrave të bankave.
“Siç e shohim nga raporti i fundit i BQK-së, në dhjetor 2022, bankat kanë shënuar rritje të të hyrave të përgjithshme nga aktivitetet bankare, përfshi edhe nga interesi i kredive. Ky i fundit përbën 70-71% të të hyrave totale. Ndryshimi nga dhjetori 2021 është minimal në raport me të hyrat totale, por rritja është e përgjithshme. Si shpjegohet kjo? Rritja e aktivitetit ekonomik në vlera numerike nënkupton më shumë transaksione dhe më shumë vlera të mëdha veçanërisht për shkak të inflacionit. Kjo rezulton në rritje të të hyrave për banka. Kjo rritje nuk pasqyron edhe rritjen e konsumit real në vlera jomonetare”, ka thënë ndër të tjera ai.
Kujtojmë që ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të çmimeve në disa produkte. Përveç rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit ditor, pas rivlerësimit të Ministrisë së Financave, është shënuar një rritje e çmimit të tatimit në pronë që bëri që qytetarët të shprehen të revoltuar.