Ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani ka parashikuar se javëve në vijim Serbia do të provojë të pengojë marrëveshjen për normalizim.
Këto deklarime Ramadani i bëri përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”. Veç kësaj, ai ftoi edhe faktorin ndërkombëtar që të marrë masa dhe të parandalojnë një gjë të tillë.
“Javët e ardhshme, Serbia do të përpiqet të pengojë marrëveshjen e normalizimit. Do të përpiqet të fajësoj Kosovën. NATO dhe Komuniteti Ndërkombëtar duhet t’i bëjnë të qartë Vuçiqit se kjo nuk do të lejohet, asnjë veprim sigurie nuk duhet të injorohet”, ka shkruar Ramadani.
Informacion apo hamendësim?
Nuk dihet nëse ajo çfarë ka shkruar ish-inspektori Ramadani është e bazuar në informacione të sakta apo hamendësim me bazë nga e kaluara.
Është fakt, Serbia, shpeshherë, përmes strukturave kriminale ka tentuar në çdo lloj forme të pengojë mbarëvajtjen e dialogut. Barrikadat është shembulli konkret më i fundit.
Për këtë ka qenë kritik edhe kryeministri Kurti. Shefi i ekzekutivit ka thënë se është i gatshëm për dialog dhe se këtë është gati ta bëjë çdo muaj, teksa hidhte kritika te pala serbe që synon vazhdimisht t’i shtyej sa më shumë negociatat.
Deri më tani nuk është zbatuar pika e marrëveshjes së arritur më 18 gusht të vitit të kaluar, ku palët u dakorduan që të takohen çdo 30 ditë.
Se nuk ka datë për takimin e radhës në Bruksel e ka konfirmuar edhe zëdhënësi Stano për mediat serbe.
Konfirmimi
Albin Kurti, dje drekoi me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian. E pas drekës, e dha një lajm të rëndësishëm.
I pari i qeverisë tregoi se Kosova e pranon planin franko-gjerman, që tash po quhet marrëveshja e Brukselit.
“Bazë e mirë” e “platformë solide” – u etiketua sërish nga Kurti marrëveshja e propozuar nga BE-ja.
Por përmbajtja e planit franko-gjerman ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse kanë kaluar muaj që kur ka filluar diskutimi mbi këtë marrëveshje.
Ajo që është e rëndësishme, kryeministri ka publikuar kushtet e tij për të pranuar Asociacionin, që po shihet si “delja e zezë” e planit franko-gjerman dhe zbatimit të tij.
Kushtet
Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës;
Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik;
Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi;
Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen;
Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së për Kosovën;
Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian.