Edhe tetë ditë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin që u hap për pjestarët e komuniteteve pakicë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Por askush deri më tani nuk e di se sa është numri i atyre që kanë aplikuar. E zyrtarët e rinjë policor nga komunitetet joshumicë po thirren për aplikim nga institucionet kosovare për të mbushur vendet bosh që janë në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.
Vdekja e punëtorit në Suharekë, ky është pronari i gurthyesit ‘Flori’ që u arrestua nga Policia
Kjo pas dorëheqjeve masive të qindra zyrtarëve policorë serb që u larguan nga ky institucion i sigurisë në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë lidhur me targat e makinave.
Zyrtarët policor në Kosovë po vazhdojnë me fushata sensibilizuese për t’i bindur komunitetet që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës vazhdon me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, vazhdon ti inkurajojë dhe ftojë qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës. Këtë kampanjë e kanë përkrahur dhe mbështetur edhe personalitete të larta nga insitucione të ndryshme ndërkkmbëtare,”- u tha në njoftimin e Policisë.
Por askush deri më tani nuk e di se sa është numri i personave që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Nga zyra për medie e policisë nuk japin detaje rreth shifrave.
“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Policia e Kosovës, çdo herë inkurajon dhe fton qytetarët që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës””, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Policisë.
Në anën tjetër nga Qeveria e Kosovës u tha se përmes këtij konkursi nuk synohet të përjashtohet asnjë serb i cili dëshiron që të jetë pjesë e Policisë së Kosovës. Sipas Qeverisë krejt çka nevojitet për këtë konkurs, – është thjeshtë plotësimi i kritereve të parapara.
Por, në konkurs një prej kritereve është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.
Pse u shpall konkursi?
Autoritetet e drejtësisë në Kosovë këtë konkurs e hapën pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.
Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.
E zyrtar i policisë së Kosovës mund të bëhen të gjithë ata që I plotësojnë kushtet e vendosura nga institucionet kosovare.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç.
Kujtojmë se që nga dorëheqja e zyrtarëve policorë serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – policia ka njoftuar se ka dërguar atje zyrtarë të rendit nga rajone të tjera.